Spiropali sfidon sërish Ramën? Mesazhi i koduar ndez debatet në PS: Pengesat ndryshojnë rrjedhën, jo destinacionin

3 August 2026, 13:36 / POLITIKË ALFA PRESS
Spiropali sfidon sërish Ramën? Mesazhi i koduar ndez debatet në

Në pritje të shqyrtimit në Asamblenë e Partisë Socialiste të mocionit të saj për “Marrëveshjen e Re për Shqipërinë”, Elisa Spiropali ka publikuar një mesazh të koduar në rrjetet sociale.

Ish-ministrja e Jashtme ka ndarë fotografinë e një lumi shqiptar, të cilën e ka shoqëruar me thënien: “Mëso nga lumi; pengesat mund ta detyrojnë të ndryshojë rrjedhën, por kurrë destinacionin”.

Mesazhi vjen pas nismës së Spiropalit për një debat të gjerë brenda Partisë Socialiste dhe për një reformim të mënyrës së funksionimit të saj. Në mesin e korrikut, ajo prezantoi mocionin ku kërkoi një “Marrëveshje të Re për Shqipërinë”, duke argumentuar se pakënaqësitë qytetare dhe protestat duhet të shërbejnë si mundësi për reflektim dhe ndryshim.

Sipas Spiropalit, vendi ka nevojë për më shumë përfaqësim, demokraci të brendshme, meritokraci dhe institucione më të forta, ndërsa PS duhet të nisë procesin e ndryshimit nga vetja.

Deklaratat e saj kanë ardhur pas një periudhe tensioni me drejtuesit e mazhorancës. Spiropali u kritikua nga kryeministri Edi Rama pas mungesës së saj në Kuvend gjatë votimit për kërkesën e SPAK për arrestimin e ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, si dhe pas disa qëndrimeve kritike ndaj qeverisë.

Në atë kohë Rama e paralajmëroi me fjalët: “Herën e parë nuk votove, herën e dytë bëre çarçaf, herën e tretë del nga Grupi”, ndërsa Spiropali iu përgjigj duke deklaruar se “nuk është trimëri të përjashtosh, trimëri është të dëgjosh”.

Postimi i fundit i saj është interpretuar si një mesazh për qëndrueshmëri dhe vazhdim të rrugës së saj politike, pavarësisht pengesave të brendshme.

 

Po ndodh...

ide