87 ditë “në këmbë”! Qytetarët bëjnë hapin e radhës, mblidhen firmat për shfuqizimin e ligjit të zonave të mbrojtura

2026-08-25 23:22:00 / POLITIKË ALFA PRESS
87 ditë “në këmbë”! Qytetarët

Kjo e sotmja, ashtu si prej 87 ditësh, i bëri bashkë qytetarët në Tiranë të cilët prej gati tre muajsh protestojnë për ndryshim të klasës politike si dhe plotësimin e kërkesave të tyre.

Ashtu si prej 87 ditësh, edhe sot protestuesit pasi u bënë bashkë në “Sheshin Skënderbej”, e “zbarkuan”para Kryeministrisë, kanë vijuar me marshimin e tyre nëpër kryeqytet.

Në ditën e 87-të e marshimit në Tiranë, qytetarët kanë zgjedhur të marshojnë drejt Sheshit ”Nënë Tereza” për të vijuar më tej në Rrugën e Elbasanit, e pastaj për t’u rikthyer sërish para Kryeministrisë.

Po ashtu mësohet se gjatë protestës së sotme, një aktiviste bëri me dije se ka nisur zyrtarisht mbledhja e nënshkrimeve për referendumin që synon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024 për zonat e mbrojtura. Sipas aktivistes bëhet me dije se nisma është ndërmarrë nga një grup prej 12 qytetarësh. Ajo bëri thirrje për qytetarët që mbështesin nismën të informohen dhe të kontribuojnë me firmën e tyre.

“Zyrtarisht kemi filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për referendumin për shfuqizimin e ligjit për zonat e mbrojtura 21/2024. T’i bashkohemi të gjithë për ta shfuqizuar në rrugë ligjore dhe demokratike”, tha aktivistja.

Ashtu si kemi raportuar dhe më parë, protesta nisi më 23 maj në fshatin Zvërnec, dhe rreth një javë më vonë më 30 Maj u regjistrua dhuna e ushtruar nga një polic privat kundrejt një protestuesi, kjo qe shkëndija që ndezi protestat në Tiranë, ku qytetarët nisën tubimet e përditshme të pandërprera çdo ditë rreth orës 18:00.

Lëvizja nisi si reagim mjedisor kundër projektit turistik luksoz të investitorit amerikan Jared Kushner në zonën e mbrojtur të Lagunës së Nartës dhe Ishullit të Sazanit. Ajo mori emrin "Revolucioni i Flamingove" sepse zona e projektuar është habitati natyror i këtyre shpendëve. Më tej protesta mori përmasa më të mëdha, përtej kauzës mjedisore duke kërkuar transparencë ligjore dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama ndër 5 kërkesat që janë paraqitur nga protestuesit, të cilat u prezantuan më 22 qershor, nga Dritan Goxhaj, emër ky i cili ngjalli shumë përplasje dhe polemika në sferën politike. Pas reagimeve të vazhdueshme të kryeministrit Edi Rama dhe jo vetëm.

Pesë pikat e platformës vijojnë si më poshtë:

Dorëheqja e panegociueshme e Kryeministrit Edi Rama dhe e të gjithë kabinetit qeveritar.

Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, e cila do të jetë jopartiake dhe do të ketë një mandat të qartë 12-mujor.

Hartimi i një Kushtetute të re që garanton barazinë e plotë të shtetasve para ligjit, e cila do të miratohet me referendum popullor. Kjo reformë kushtetuese parashikon:

Ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

Ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave;

Kufizimin e mandatit të Kryeministrit në jo më shumë se dy mandate (të plota ose të pjesshme) gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Mos heqja dorë nga kërkesat fillestare ekonomike dhe mjedisore, ku kërkohet urgjentisht:

Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”;

Anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”;

Shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”;

Shfuqizimi i statusit dhe kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.

Po ndodh...