Goditet rrjeti i kokainës në Mykonos, 9 të arrestuar

2026-08-25 23:10:00 / BOTA ALFA PRESS
Goditet rrjeti i kokainës në Mykonos, 9 të arrestuar

Një rrjet i dyshuar i trafikut dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike është goditur nga policia greke në ishullin e Mykonosit, ndërsa në pranga kanë rënë 9 persona me shtetësi shqiptare, greke dhe turke.

Sipas autoriteteve, grupi përdorte 3 kompani transporti turistësh si mbulesë për aktivitetin kriminal. Me furgonët e kompanive, anëtarët transportonin vizitorë në zona të ndryshme të ishullit, ndërsa njëkohësisht shfrytëzonin kontaktet me turistët për të gjetur klientë për drogën.

Transporti përdorej edhe për pastrimin e parave

Hetuesit dyshojnë se kompanitë shërbenin jo vetëm për të fshehur aktivitetin e paligjshëm, por edhe për të justifikuar paratë e përfituara nga shitja e drogës.

Sipas policisë, grupi përdorte pagesa me POS, Revolut dhe IRIS, duke i paraqitur transaksionet si pagesa për shërbime transporti.

Gjatë operacionit, autoritetet sekuestruan edhe 7 furgonë në pronësi të personave të përfshirë në hetim.

Kokainë, metamfetaminë dhe ekstazi

Hetimi nisi në fillim të korrikut, pas informacioneve për një organizatë që trafikonte drogë në Atikë dhe Mykonos.

Në fokus të hetuesve ishte edhe një shtetas i huaj me pseudonimin “ISA”, telefoni i të cilit u vu nën përgjim. Nga komunikimet e tij, policia arriti të identifikonte personat e tjerë të dyshuar si pjesë e rrjetit.

Grupi dyshohet se trafikonte kokainë, kokainë rozë, metamfetaminë kristalore, MDMA dhe hashash.

Sipas të dhënave të hetimit, një gram kokainë shitej nga 120 deri në 150 euro, ndërsa kokaina rozë arrinte deri në 200 euro për gram.

Përdornin kode për të mos u zbuluar

Anëtarët e grupit përdornin fjalë të koduara gjatë komunikimeve telefonike për të mos përmendur drejtpërdrejt llojet e drogës.

Për kokainën rozë përdornin shprehje si “garniturë rozë”, “me ngjyra” apo “recetë sekrete”, ndërsa për kokainën përdornin terma si “klasike”, “vezë” dhe “vajza”.

Policia ka dokumentuar edhe biseda ku anëtarët paralajmëronin njëri-tjetrin të mos përmendnin hapur aktivitetin e tyre.

Bastisjet më 21 gusht

Gjatë kontrolleve të zhvilluara më 21 gusht, policia sekuestroi dhjetëra gramë lëndë narkotike të llojeve të ndryshme, si dhe një shumë të konsiderueshme parash, që sipas hetuesve dyshohet se vinin nga aktiviteti i paligjshëm.

Të 9 personat e arrestuar pritet të dalin para hetuesit të enjten e ardhshme, ku do të japin edhe deklaratat e tyre për akuzat që rëndojnë ndaj tyre.

Po ndodh...