Pas drejtuesve të PS, Rama mbledh ministrat. Çfarë pritet të diskutohet në Pogradec

2026-08-24 08:42:00 / POLITIKË ALFA PRESS

Pas drejtuesve të PS, Rama mbledh ministrat. Çfarë pritet

Kryeministri Edi Rama vijon takimet e punës me strukturat drejtuese të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar. Pas takimit me drejtuesit politikë socialistë në 12 qarqet e vendit dhe krerët e komisioneve parlamentare, Rama do të zhvillojë sot një tjetër takim në Pogradec, këtë herë me ministrat e qeverisë.

Takimi, i konceptuar si një “retreat”, pritet t’i kushtohet bilancit të punës së deritanishme, por edhe përcaktimit të objektivave dhe prioriteteve për vitin e dytë të mandatit të katërt qeverisës.

Mbledhje të tilla pune janë zhvilluar edhe në të kaluarën nga kryeministri Rama, kryesisht në periudhën pas përfundimit të sezonit veror, me synimin për të përcaktuar axhendën politike dhe qeverisëse për muajt në vijim.

Një ditë më parë, Rama zhvilloi në Pogradec një takim disaorësh me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe dhe drejtues të komisioneve parlamentare.

Në qendër të diskutimeve ishin disa prej dokumenteve të prezantuara nga kryeministri në fund të korrikut, mes tyre “Besa”, që lidhet me qasjen e re të PS-së gjatë mandatit të katërt dhe fokusin tek problematikat e qytetarëve.

Në diskutime u përfshi edhe “Pasqyrë Albania”, platforma përmes së cilës synohet që shqetësimet e qytetarëve të regjistrohen, të ndiqen dhe të adresohen në kohë reale.

Pas takimeve të Pogradecit, vëmendja pritet të zhvendoset drejt fillimit të shtatorit, kur Partia Socialiste pritet të mbledhë Asamblenë Kombëtare.

Ky forum është përdorur në të kaluarën nga socialistët edhe për të bërë njoftime të rëndësishme politike, përfshirë ndryshime në përbërjen e qeverisë.

Mbledhja e radhës vjen pas një periudhe të ngarkuar në skenën politike shqiptare, e shoqëruar edhe me protesta disa mujore pranë Kryeministrisë.

Takimet e këtyre ditëve pritet të përcaktojnë drejtimet kryesore të qeverisë dhe Partisë Socialiste për fazën e ardhshme të mandatit.

Po ndodh...