Fatri Islamaj zgjidhet anëtari i dytë i KLGJ-së, gjyqtari tropojan lë pas me 19 vota më pak Igerta Hysin

25 September 2026, 19:32 / AKTUALITET ALFA PRESS
Fatri Islamaj zgjidhet anëtari i dytë i KLGJ-së, gjyqtari

Fatri Islamaj është zgjedhur këtë të premte anëtari i dytë i ri i Këshillit të Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të procesit të votimit nga gjyqtarët. Islamaj i cili deri më tani ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, mori 190 vota, duke lënë pas në garë gjyqtaren Igerta Hysi, e cila siguroi 171 vota.

Me këtë rezultat, Islamaj do të jetë pjesë e Këshillit të Lartë Gjyqësor, institucioni që luan një rol qendror në administrimin dhe funksionimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.

Kush është Fatri Islamaj?

Fatri Islamaj me origjinë nga Tropoja, ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, të shtrirë në disa nivele të gjyqësorit, ndërsa prej vitesh është angazhuar edhe në fushën akademike.

Prej 14 prillit 2022 ai ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm. Më herët, gjatë viteve 2019-2022, ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Apelit Tiranë.

Karriera e tij në gjyqësor ka nisur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ku ka shërbyer fillimisht në vitet 2005-2006. Më pas ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Fier, nga viti 2006 deri në prill 2010, për t'u rikthyer në Tiranë.

Nga viti 2010 deri në nëntor 2016 ka ushtruar detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ndërsa nga gushti 2012 deri në nëntor 2016 ka qenë kryetar i kësaj gjykate.

Në vitin 2016 Islamaj kaloi në Gjykatën e Apelit Tiranë, ku vijoi detyrën deri në vitin 2019. Në janar të vitit 2019 u zgjodh anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED).

Përgjatë karrierës së tij, Islamaj është angazhuar edhe në fushën akademike. Që prej vitit 2015 është pedagog i jashtëm në Shkollën e Magjistraturës. Më herët, nga tetori 2004 deri në tetor 2008, ka qenë i angazhuar si pedagog i jashtëm në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Ai ka mbajtur gjithashtu dy mandate si anëtar i Këshillit Drejtues të Shkollës së Magjistraturës, gjatë periudhave mars 2004-mars 2007 dhe 2010-2014.

Islamaj është diplomuar në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, pas përfundimit të ciklit katërvjeçar të studimeve në vitin 2002.

Në vitin 2006 është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, ndërsa gjatë viteve 2006–2009 ka ndjekur Masterin Shkencor në të Drejtë Civile në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.

Në vitin 2021 ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Tiranës. Tema e disertacionit të tij për gradën shkencore “Doktor” lidhet me “Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar në Shqipëri”.

Karriera e Islamajt është përfshirë edhe në procesin e rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Më 10 dhjetor 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra, në cilësinë e gjyqtarit të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Vendimi u ankimua dhe çështja kaloi për shqyrtim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Më 14 prill 2020, KPA vendosi ndryshimin e vendimit të KPK-së dhe konfirmimin e Islamajt në detyrë.

Pas këtij vendimi, ai vijoi karrierën gjyqësore dhe prej 14 prillit 2022 ushtron detyrën në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.

Sipas të dhënave të publikuara për karrierën e tij, Islamaj është vlerësuar “Shumë mirë” për veprimtarinë profesionale gjatë periudhave 2007-2009 dhe 2010-2012. Po ashtu, rezulton se nuk ka masa disiplinore në fuqi.

Po ndodh...

ide