Hiqet taksa e qarkullimit, barra kalon te shoferët dhe makinat elektrike! Ndryshimet në paketën fiskale

Ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë, ndryshimet në tatimin mbi të ardhurat, rritja e taksimit për disa kategori dhe rishikimi i taksës së qarkullimit të automjeteve janë ndër masat kryesore të prezantuara nga kryeministri Edi Rama në kuadër të ndryshimeve të propozuara në paketën fiskale për vitin 2027.
Rama ka prezantuar një sërë ndryshimesh në politikat fiskale. Paketa përfshin masa që prekin drejtpërdrejt shportën ushqimore të familjeve, biznesin e vogël, pagat e larta, sektorin e turizmit dhe pronat me vlerë të lartë.
Një nga ndërhyrjet kryesore lidhet me uljen e TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë dhe ushqimet bazë për foshnjat, ndërsa paralelisht parashikohen ndryshime në normën standarde të TVSH-së dhe në disa taksa të tjera.
TVSH më e ulët për ushqimet bazë
Një nga masat më të rëndësishme të njoftuara është ulja e TVSH-së për produktet ushqimore bazë nga 20% në 6%. Sipas propozimit, kjo ndërhyrje synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve për produktet e domosdoshme të konsumit të përditshëm.
Në të njëjtën kohë, propozohet rritja e normës standarde të TVSH-së nga 20% në 21% për mallrat dhe shërbimet që nuk përfshihen në kategoritë e reduktuara.
Ndryshime në tatimin mbi të ardhurat dhe biznesin
Ndërhyrjet fiskale përfshijnë edhe tatimin mbi fitimin dhe dividendin. Sipas projektpaketës fiskale të raportuar, tatimi mbi fitimin e korporatave propozohet tw jetw po15%, ndërsa tatimi mbi dividendin nga 8% në 15%.
Një tjetër masë e rëndësishme është vendosja e një norme tatimore prej 30% për pjesën e pagës që kalon 700 mijë lekë të reja, sipas deklarimeve të paraqitura për ndryshimet e propozuara.
Për biznesin e vogël, qeveria parashikon ruajtjen e tatimit zero mbi fitimin deri në vitin 2029, me synimin për të mbështetur aktivitetin ekonomik dhe për të lehtësuar sipërmarrjet me përmasa të vogla.
Ndërkohë, propozohet ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në skemën e TVSH-së nga mbi 10 milionë lekë në 5 milionë lekë qarkullim vjetor. Kjo masë synon të rrisë formalizimin dhe të kufizojë përdorimin e faturimit për shmangien e detyrimeve tatimore.
Rritje e TVSH-së në hoteleri dhe taksim i ekonomisë digjitale
Sektori i turizmit është gjithashtu pjesë e ndryshimeve të propozuara. TVSH-ja për hotelerinë parashikohet të rritet nga 6% në 10%, duke përfshirë edhe aktivitetet e agroturizmit sipas skemës së re.
Paralelisht, po përgatiten masa për taksimin e ekonomisë digjitale, ku vëmendje e veçantë do t’u kushtohet të ardhurave të krijuara nga influencerat dhe aktivitetet e tregtisë online.
Synimi është që aktivitetet ekonomike të zhvilluara përmes platformave digjitale të përfshihen në një kuadër më të qartë fiskal, duke rritur transparencën dhe përmbushjen e detyrimeve tatimore.
Taksa më të larta për pronat dhe automjetet luksoze
Në fokus të ndryshimeve janë edhe individët me pasuri dhe të ardhura të larta. Sipas masave të njoftuara, po shqyrtohet vendosja e një takse të posaçme për pronat me vlerë të lartë, përfshirë vilat në zonat bregdetare dhe pronat që mbahen bosh.
Gjithashtu, parashikohen detyrime më të larta për konsumin e ujit në pishinat private dhe një taksim i posaçëm për automjetet luksoze.
Në kuadër të forcimit të transparencës fiskale, individët me të ardhura relativisht të larta pritet të kenë detyrime më të zgjeruara për deklarimin e pasurisë, sipas kuadrit që do të përcaktohet.
Ndryshon taksa e qarkullimit të automjeteve
Një tjetër ndërhyrje e njoftuar lidhet me taksën e qarkullimit, e cila aktualisht përfshihet në çmimin e naftës.
Sipas deklarimit të kryeministrit, synohet heqja e saj nga çmimi në pompë, me një ulje të parashikuar prej rreth 32 lekësh për litër.
Në vend të kësaj skeme, taksa do të lidhet drejtpërdrejt me automjetin dhe do të mblidhet përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Gjithashtu, parashikohet vendosja e një takse qarkullimi për automjetet me targa të huaja që hyjnë në territorin shqiptar./ekofin.al
Po ndodh...
ide
ERA që nuk ndalet më!
Fundi i Vuçiç, kambana e pushtetit që bie në kurthin e vet!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
