SPAK çon për gjykim Eugert Sinon, akuzohet si drejtues i një grupi kriminal për trafik armësh

28 October 2026, 13:09 / AKTUALITET ALFA PRESS

SPAK çon për gjykim Eugert Sinon, akuzohet si drejtues i një

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kërkesën për gjykimin e Eugert Sinos, i akuzuar për disa vepra penale që lidhen me mbajtjen e paligjshme të armëve dhe municioneve luftarake, si dhe drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar se Eugert Sino, në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka siguruar një sasi të konsiderueshme armësh zjarri dhe municionesh luftarake.

Nga hetimet rezulton se janë siguruar 5 armë të gjata/sniper, 6 armë automatike, 12 pistoleta, 17 krehër shtesë, 4 tyta armësh dhe 7.820 fishekë luftarakë të kalibrave të ndryshëm.

Sipas akteve të ekspertimit, armët e zjarrit dhe municionet e sekuestruara kanë rezultuar në gjendje të rregullt teknike dhe të afta për të realizuar qitje.

Në përfundim të hetimeve, SPAK ka konkluduar se Eugert Sino ka pasur rolin e drejtuesit dhe financuesit të kësaj veprimtarie të paligjshme kriminale.

Si u arrestua Eugert Sino? Furgoni me mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore” zbuloi arsenalin e armëve

Eugert Sino u arrestua më 29 tetor 2025, gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit të koduar “The Van”, pas zbulimit të një arsenali të madh armësh zjarri brenda një furgoni në rrugën “Myslym Shyri”, në Tiranë.

Sipas raportimeve mediatike, furgoni ishte parkuar prej rreth një muaji në zonë dhe kishte mbishkrimin “Mirëmbajtja Rrugore”, duke krijuar përshtypjen se përdorej për shërbime mirëmbajtjeje. Dyshimet për automjetin u shtuan kur ai u konstatua si pengesë për qarkullimin rrugor, çka çoi në kontrollin e tij nga efektivët e policisë.

Gjatë kontrollit, brenda furgonit u zbulua një sasi e konsiderueshme armësh dhe municionesh.

Për shkak të natyrës së zbulimit, në vendngjarje ndërhynë edhe strukturat e hetimit të krimeve, të cilat vijuan veprimet hetimore për identifikimin e personave të përfshirë në këtë veprimtari.

Akuzat ndaj Eugert Sinos

Sino akuzohet për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve, përfshirë mbajtjen e tyre në automjete, në mjedise publike dhe në sasi të mëdha. Sipas SPAK, këto vepra janë kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Ai akuzohet gjithashtu për mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake, në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal, në formën e drejtimit.

Po ndodh...