Gënjeshtra si kilometri i fundit: Pse Berisha po rishkruan 2021-in e Bashës

Sa herë që ndodhet përballë një muri politik, Sali Berisha zgjedh të mos përballet me realitetin, por ta rishkruajë atë. Rikthimi i tij periodik te gënjeshtrat kundër Lulzim Bashës nuk është rastësi, por refleks i një faze terminale politike, ku mungesa e alternativave prodhon riciklim akuzash.
Berisha ndodhet sot në kilometrin e fundit të karrierës së tij politike. I izoluar ndërkombëtarisht, pa zgjedhje reale përpara dhe pa asnjë zgjidhje politike në dorë, ai i rikthehet mjetit të vetëm që i ka mbetur: manipulimit të memories kolektive dhe aty ku faktet nuk i shërbejnë më, hyn gënjeshtra.
Deklarata e fundit se “PD i fitoi zgjedhjet në 2021, por Basha nuk bëri denoncime” është thjesht një gjysëm e vërtetë, nga ato që ai ka shumë qef ti thotë. E vërteta është se në 2021 PD-ja i fitoi zgjedhjet por gjithashtu edhe Basha nisi denoncimet për të dokumentuar masakrën zgjedhore.
Së pari, sepse procesi i denoncimeve ka qenë publik, sistematik dhe i dokumentuar. Këtë e tregon e media që sot rreshtohet pa kushte me Berishën, si Syri, e pasqyronte qartë këtë proces në kohë reale. Partia Demokratike kishte përgatitur dhjetëra ankime dhe një dosje voluminoze me shkelje zgjedhore, e njohur gjerësisht si “dosja e zezë”.
Së dyti, i ashtuquajturi “Black Book” i sotëm i Berishës nuk është gjë tjetër veçse një copy–paste politik i “Black Book” të përgatitur nga Basha në vitin 2021, i publikuar zyrtarisht nga Partia Demokratike dhe i shpërndarë tek të gjithë partnerët dhe institucionet ndërkombëtare. Tashmë ky do të jetë një libër që i ndryshon autori që e mban në dorë, por jo përmbajtja.
Këtu nuk kemi të bëjmë me debat politik, por me atë që Hannah Arendt e quante “zëvendësim të realitetit me një narrativë të përsëritur aq shpesh, sa shpresohet të bëhet e besueshme”. Problemi është se faktet janë kokëforta dhe arkivat nuk harrojnë.
Berisha sot nuk lufton kundër Ramës, as kundër regjimit që pretendon se kundërshton. Ai lufton kundër historisë së afërt, sepse ajo histori nuk i shërben më dhe siç paralajmëronte George Orwell, “mënyra më efikase për të shkatërruar njerëzit është t’u mohosh dhe t’u fshish kuptimin e kujtesës së tyre”. Kjo është pikërisht ajo që po tentohet, fshirja e rolit të Bashës, fshirja e të vërtetës, zhvendosja e përgjegjësive dhe riciklimi i vetes si “denoncues”.
Politika nuk funksionon me kopje të vjetra të realitetit. As me libra të zinj të ricikluar dhe aq më pak me gënjeshtra që bien sapo përballen me dokumentet.
Në fund, mbetet e vërtetë ajo që shkruante Nietzsche: “Gënjeshtra më e rrezikshme nuk është ajo që i thuhet tjetrit, por ajo që njeriu i thotë vetes për të mbijetuar” dhe Berisha sot po i flet vetes më shumë se kujtdo tjetër.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128