Pse PD nuk mund ta ketë kandidatin nga shoqëria civile ose apolitik

30 Shtator 2025, 10:59 / IDE NGA ERMAL PEçI

Pse PD nuk mund ta ketë kandidatin nga shoqëria civile ose apolitik

Në dukje, ideja e një kandidati apolitik tingëllon freskuese për një shoqëri të lodhur nga politikanë të konsumuar dhe një opozitë e përçarë. Por kjo është një iluzion komod që i shërben më shumë pushtetit aktual sesa qytetarëve që kërkojnë ndryshim. Sepse politika nuk është një algoritëm ku 1+1 bëjnë dy. Nuk është as bilanc financiar, ku përmes një “llogarie të ftohtë” vendoset e ardhmja e një vendi. Politika është përplasje vizionesh, përballje vlerash, dhe më së shumti, përfaqësim. E në këtë betejë, një figurë e ashtuquajtur “apolitike” është gjithmonë një kalkulim i gabuar në kohë krize.

Le të jemi të qartë: jo çdo njeri që ka një mandat deputeti është automatikisht lider politik, dhe jo çdo person që di të artikulojë mendime në media është domosdoshmërisht i denjë për të qenë përfaqësues i opozitës, pra me pak fjalë kushdo që flet për politik nuk mund të jetë politikan. Politikani nuk është një figurë teknike, por një simbol përbashkimi dhe mobilizimi. Një politikan frymëzon jo vetëm me fjalë, por me jetë, me histori, me rrënjë dhe me drejtim të qartë ideologjik. E sidomos për të djathtën shqiptare, e cila ka humbur rrugën mes pragmatizmit bosh dhe “zhvillimeve moderne”, është jetike të rikthejë një figurë që mishëron vlerat konservatore: familjen, punën, besimin, dinjitetin, shtetin e vogël dhe individin e lirë.

Opozita nuk mund të përfaqësohet nga një figurë që “nuk është as me njërën palë, as me tjetrën”. Sepse ky “neutralitet” është, në thelb, dorëzim politik. Dhe në Shqipëri, ky pretendim për neutralitet është shpesh një mbulim i mirëfilltë për lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin. Koha historike dhe politike ka treguar që asnjëanësi është gjithmonë pal me qeverinë apo me më të fortin. Kemi parë prej vitesh se si shumë figura të shoqërisë civile janë në fakt zëdhënës të pushtetit në fshehtësi – duke përfituar fonde publike, grante të kontrolluara dhe pozicione influente përmes një loje hipokrite. Të pretendosh se brenda këtij rrethi mund të gjendet kandidati që do përfaqësojë të djathtën, është të pranosh që e djathta nuk ka më busull edhe nuk duan as të reflektojnë.

Ky është momenti kur opozita, dhe sidomos Partia Demokratike, duhet të zgjedhë mes dy rrugëve: të vazhdojë me eksperimente politike që nuk i kanë sjellë asnjë fitore për një dekadë, apo të rikthehet tek identiteti i saj. Një kandidat që përfaqëson të djathtën nuk është thjesht një figurë publike pa parti, por një njeri me qëndrim, me histori personale suksesi, me rrënjë të pastra familjare dhe me një jetë që flet për atë që thotë.

Opozita ka nevojë për një figurë të besueshme, jo për një emër të bukur në poster. Ka nevojë për dikë që jo vetëm të marrë vota, por t’i japë frymë atyre që ndihen pa zë. Ka nevojë për një model, jo një administrator. Mbi të gjitha, nuk ka më luksin të eksperimentojë me “të pavarur”, që në thelb janë më të varur se kurrë.

Po ndodh...

ide