Karton i kuq dhe protesta ndaj arbitrit, Vinicius rrezikon deri në 4 ndeshje pezullim, në dyshim për El Clasicon

11 October 2026, 10:53 / SPORT ALFA PRESS

Karton i kuq dhe protesta ndaj arbitrit, Vinicius rrezikon deri në 4

Vinicius Junior rrezikon të mungojë në disa ndeshje të Real Madridit pas kartonit të kuq ndaj Villarrealit. Sipas raportimit të mediave spanjolle, braziliani mund të dënohet me dy deri në katër ndeshje, në varësi të interpretimit që Komiteti i Disiplinës do t'i bëjë episodit dhe reagimit të tij pas përjashtimit.

Procesverbali i gjyqtarit Isidro Díaz de Mera, i publikuar gjatë natës, ka zbardhur arsyetimin për kartonin e kuq të sulmuesit të Real Madridit. Vinicius u ndëshkua në minutën e 71-të, pasi tërhoqi nga flokët një lojtar të Villarrealit, në një episod që gjyqtari e rishikoi në monitorin e VAR-it pas rekomandimit të arbitrit Alejandro Muñiz Ruiz.

Në raportin e tij, Díaz de Mera shkruan: “Për tërheqjen e flokëve të një kundërshtari, me topin në lojë, pa qenë topi në garë mes tyre”. Pikërisht formulimi i përdorur në procesverbal lë hapur mundësinë e disa interpretimeve për masën e dënimit që mund të marrë futbollisti brazilian.

Sipas nenit 130 të Kodit Disiplinor të futbollit spanjoll, sjellja e dhunshme gjatë lojës, kur nuk shkakton pasoja dëmtuese apo lëndime, mund të dënohet me pezullim nga një deri në tri ndeshje, ose deri në një muaj.

Megjithatë, rregullorja parashikon një tjetër interval dënimi kur veprimi ndodh jashtë aksionit të lojës, në një moment kur lojtari nuk ka mundësi të luajë topin, ose kur loja është e ndalur. Në këtë rast, pezullimi mund të jetë nga dy deri në tri ndeshje.

Formulimi i gjyqtarit se topi ishte në lojë, por nuk ishte në garë mes dy futbollistëve, do të jetë një nga elementet që do të shqyrtojë Komiteti i Disiplinës për të përcaktuar masën përfundimtare të dënimit. Një tjetër element që mund të rëndojë situatën e Viniciusit është reagimi i tij pas përjashtimit nga fusha.

Në procesverbal, gjyqtari shkruan se sulmuesi vazhdoi të protestonte me zë të lartë dhe u drejtua në mënyrë agresive drejt zonës ku ndodhej arbitri. Sipas raportit, shokët e skuadrës u detyruan ta mbanin, ndërsa gjyqtari shton se nuk arriti të dallonte ndonjë shprehje konkrete të përdorur nga lojtari.

Për këtë episod, braziliani mund të përballet me një sanksion të veçantë, në varësi të mënyrës se si do të klasifikohet sjellja e tij. Nëse konsiderohet sjellje në kundërshtim me rendin e mirë sportiv, rregullorja parashikon pezullim deri në katër ndeshje ose gjobë deri në 602 euro, në rastet e klasifikuara si shkelje të lehta.

Nga ana tjetër, nëse reagimi cilësohet si protestë ndaj arbitrit, neni 127 parashikon pezullim nga dy deri në tri ndeshje ose deri në një muaj. I njëjti interval dënimi parashikohet edhe nga neni 124, në rast se sjellja konsiderohet shprehje përçmimi ose mungesë respekti ndaj gjyqtarit.

Sipas skenarëve të paraqitur nga mediat spanjolle, dënimi total mund të variojë nga dy deri në katër ndeshje, në varësi të mënyrës se si do të klasifikohen si tërheqja e flokëve, ashtu edhe reagimi pas kartonit të kuq.

Dy ndeshje pezullim: një për kartonin e kuq dhe një për reagimin pas përjashtimit.

Tri ndeshje pezullim: nëse njëri prej episodeve ndëshkohet më rëndë, ndërsa tjetri merr masën minimale përkatëse.

Katër ndeshje pezullim: nëse veprimi ndaj kundërshtarit konsiderohet sjellje e dhunshme jashtë lojës dhe reagimi ndaj arbitrit ndëshkohet gjithashtu me një masë më të rëndë.

Vendimi pritet të merret nga Komiteti i Disiplinës, i cili do të shqyrtojë procesverbalin dhe rrethanat e episodit. Sipas llogaritjeve të raportimit spanjoll, në të gjitha skenarët e përmendur Vinicius rrezikon të mungojë në El Clásico-n e 25 tetorit, kur Real Madrid do të përballet me Barcelonën në stadiumin “Camp Nou”.

Po ndodh...