Njihuni me Navi Pillay, fituesen e Nobelit për Paqen 2026: Nga lufta kundër aparteidit te drejtësia ndërkombëtare

11 October 2026, 11:52 / BOTA ALFA PRESS

Njihuni me Navi Pillay, fituesen e Nobelit për Paqen 2026: Nga l*fta

Nga mbrojtja e kundërshtarëve të aparteidit në Afrikën e Jugut te gjykimi i krimeve të luftës në gjykatat ndërkombëtare, Navi Pillay ia ka kushtuar karrierën e saj drejtësisë dhe të drejtave të njeriut. Sot, më 9 tetor, juristja 85-vjeçare u shpall fituese e Çmimit Nobel për Paqen 2026.

Komiteti Norvegjez i Nobelit njoftoi se çmimi i këtij viti i jepet Navanethem “Navi” Pillay për përpjekjet në promovimin e paqes dhe së drejtës ndërkombëtare, duke vlerësuar veçanërisht kontributin për ndjekjen penale të krimeve të luftës, krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit.

Por kush është gruaja që fitoi një prej çmimeve më prestigjioze në botë?

E lindur në vitin 1941 në Durban të Afrikës së Jugut, në një familje me origjinë indiane, Pillay u rrit gjatë regjimit të aparteidit, sistemit të diskriminimit dhe ndarjes racore që sundonte vendin. Përvoja e saj me pabarazinë ndikoi në rrugën profesionale që do të ndiqte.

Shën.red. Aparteidi ishte një sistem politik dhe ligjor i ndarjes dhe diskriminimit racor, që u zbatua në Afrikën e Jugut nga viti 1948 deri në vitin 1994. Sipas këtij sistemi, popullsia e bardhë gëzonte privilegje, ndërsa popullsia me ngjyrë dhe grupet e tjera racore përballeshin me kufizime të rënda në arsim, punësim, banim, lëvizje dhe të drejta politike.

Në vitin 1967, ajo u bë gruaja e parë që hapi një zyrë avokatie në provincën Natal, ndërsa më vonë mbrojti aktivistë që luftonin kundër aparteidit, përfshirë Nelson Mandelën.

 

 Në vitin 1995, Pillay u bë gruaja e parë jo e bardhë që shërbeu si gjyqtare në Gjykatën e Lartë të Afrikës së Jugut. Më pas, karriera e saj mori përmasa ndërkombëtare.

Ajo shërbeu si gjyqtare në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, ku pati një rol të rëndësishëm në vendimet historike që përcaktuan se përdhunimi dhe dhuna seksuale mund të përbëjnë akte gjenocidi. Më vonë u bë gjyqtare në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe, nga viti 2008 deri në vitin 2014, mbajti postin e Komisioneres së Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Pillay ka drejtuar gjithashtu Komisionin e Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit të OKB-së për territoret palestineze të pushtuara, ndërsa aktualisht është gjyqtare në çështjen për akuzat e gjenocidit kundër Mianmarit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Përtej karrierës së saj juridike, fituesja e Nobelit ka qenë vazhdimisht një zë i fortë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të grave dhe viktimave të dhunës.

 “Shumë njerëz më kanë pyetur: ‘Kur do të ndalosh?’ Për sa kohë që ka shkelje të të drejtave të njeriut dhe dikush vuan, si mund të qëndrosh indiferent?”, është shprehur ajo në një prej deklaratave të saj, të risjella në vëmendje nga faqja zyrtare e Çmimit Nobel.

Në një tjetër deklaratë, Pillay ka theksuar se të drejtat e njeriut janë thelbësore për parandalimin e konflikteve, pasi modelet e përsëritura të dhunës, përfshirë abuzimin seksual, mund të shërbejnë si sinjale paralajmëruese përpara përshkallëzimit të krizave.

Komiteti Norvegjez i Nobelit e cilësoi Pillay si një nga mbrojtëset më të rëndësishme të parimeve të së drejtës ndërkombëtare, duke theksuar se puna e saj ka treguar se drejtësia është e domosdoshme për ndërtimin e një paqeje të qëndrueshme.

Po ndodh...