Konflikti për Aeroportin e Vlorës, Pacolli i jep afat 6 muaj Ramës për të mos e çuar çështjen në Arbitrazh

24 August 2026, 12:53 / POLITIKË ALFA PRESS

Biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar sërish lidhur me çështjen e Aeroportit të Vlorës, ku ka deklaruar se kompania MABCO është ndaluar në vendimmarrjen e ndërmarrjes VIA dhe nga ushtrimi i të drejtave që burojnë nga pronësia e saj.

Në një postim në Facebook, Pacolli shkruan se MABCO, e cila zotëron 98% të kuotave, është penguar që prej vitit të kaluar të ushtrojë të drejtat e saj si aksionere. Sipas tij, kjo situatë ka ndikuar edhe në bllokimin e punimeve në Aeroportin e Vlorës.

Biznesmeni më tej thekson në postimin e tij, se duke qenë se janë shteruar përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes, MABCO u ka dërguar autoriteteve shtetërore shqiptare një “Notice of Dispute”, e cila sipas tij është në përputhje me Marrëveshjen Bilaterale ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Sipas tij, të dy palët kanë një periudhë gjashtëmujore që të zgjidhen mosmarrëveshjet mes tyre përmes dialogut. Po ashtu ai thekson se kompania e tij, ka bërë përpjekje të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhje, por nuk ka marrë një përgjigje.

Më tej, Pacolli nënvizon se kompania e tij do të respektojë periudhën gjashtëmujore, me shpresën se autoritetet shqiptare do të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e “mosmarrëveshjes” dhe për shmangien e arbitrazhit.

"MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, mundësia për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj “mosmarrëveshjeje” varet tashmë nga gatishmëria dhe vullneti i autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive  në këtë proces", thekson ai në postimin e tij.

Postimi i plotë:

Duke u nisur nga fakti se, që prej vitit të kaluar, MABCO është,  dhe edhe tani mbetët e PRIVUAR nga çdo qasje efektive në procesin e vendimmarrjes së ndërmarrjes VIA, si dhe i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave që burojnë nga pronësia e saj prej 98% të kuotave si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Kontraktor dhe autoriteteve të tjera kompetente.

Kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në bllokimin e punimeve në Aeroport, që  në fakt nga prilli 2026, MABCO është privuar nga qasja në hapësirat dhe objektet të cilat janë ndërtuar përmes investimeve marramendëse të vetë kompanisë, duke i pamundësuar në praktikë administrimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e investimit të saj.

Pasi janë shteruar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje përmes rrugëve të tjera, MABCO u ka dërguar autoriteteve shtetërore shqiptare një “Notice of Dispute”në përputhje me Marrëveshjen Bilaterale ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve (BIT).

Aktualisht, çështja ndodhet në periudhën gjashtëmujore të “cooling-off”, të parashikuar për t’u dhënë palëve mundësinë që mosmarrëveshjen ta zgjidhin përmes dialogut dhe negociatave për të evituar ARBITRAZHIT NDERKOMBETARE,  ICSID pranë BANKËS BOTËRORE ne Ëashington.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, MABCO u ka bërë thirrje të vazhdueshme autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për dialog konstruktiv dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme. Fatkeqësisht, deri më sot, këto thirrje nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.

Pavarësisht kësaj, MABCO do ta respektojë në tërësi periudhën e parashikuar nga kuadri përkatës juridik, me shpresën se autoritetet shqiptare do të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e “mosmarrëveshjes” dhe për shmangien e instancës së fundit, përkatësisht arbitrazhit ndërkombëtar.

MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, mundësia për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj “mosmarrëveshjeje” varet tashmë nga gatishmëria dhe vullneti i autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive  në këtë proces. BP

Po ndodh...