Hooper: Kosova duhet ta bindë SHBA-në që të vazhdojë mbështetjen për sovranitetin e saj

26 Shkurt 2025, 17:51 / KOSOVA ALFA PRESS

Hooper: Kosova duhet ta bindë SHBA-në që të vazhdojë

Ish-diplomati amerikan, James Hooper, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se gjëja e parë që duhet të bëjë Qeveria e Kosovës, është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Pa ndodhur kjo, sipas tij, do të ishte rrezik që SHBA-ja të përfshihej në përpjekjet e Kosovës për të arritur marrëveshje me Serbinë.

“... sepse, shikoni, Shtetet e Bashkuara nuk po i ndihmojnë Ukrainës. Tash kur ato janë përfshirë në [zgjidhjen e atij konflikti], ato janë rreshtuar në anën e autokratit, në anën e Rusisë, e jo në anën e demokracisë së vërtetë”, thotë Hooper.

Shtetet e Bashkuara i kanë tërhequr disa herë vërejtjen Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti, për shkak të disa veprimeve - që ato i kanë konsideruar si të pakoordinuara - në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Me ato lëvizje, zyrtarët amerikanë kanë thënë se Kosova ka vënë në pikëpyetje partneritetin mes dy vendeve.

“Kosova duhet të komunikojë më mirë me Uashingtonin dhe të mos i japë leksione Uashingtonit”, thotë njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Hooper.

Sipas tij, “është shumë e rrezikshme për Kosovën kur amerikanët e shohin atë si problem”.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, si e komentoni ndryshimin e politikës amerikane ndaj Ukrainës, nën presidentin Donald Trump?

James Hooper: Mua, personalisht, nuk më pëlqen. Mendoj se kjo e minon NATO-n, ndërsa NATO-ja ka qenë vendimtare për ruajtjen e paqes në Evropë, që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, apo që nga fundi i viteve 1940.

Unë kam respekt të madh për Ukrainën. Ukrainasit kanë luftuar shumë, e kanë befasuar botën dhe kanë nevojë për mbështetjen tonë. Ata kanë nevojë për mbështetjen e Amerikës.

NATO-ja nuk ka të bëjë vetëm me tanke, me avionë, me [raketa] Himars e me gjëra si këto. NATO-ja është vërtet besimi në fuqinë e Amerikës, në qëllimin dhe në vendosmërinë e saj. Presidenti Trump e minon këtë kur del në anën e presidentit Putin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë parashikoni të dalë nga kjo?

James Hooper: Unë nuk mendoj se do të ketë zgjidhje të problemit. Problemi është se Rusia e do Ukrainën. Ukraina e ka përvojën e të qenët pjesë e Rusisë, në kuadër të Bashkimit Sovjetik. Dhe, ajo ka qenë një përvojë e tmerrshme për të. Kështu që nuk do të pranojë të bëhet sërish pjesë e Rusisë.

Nuk ka mundësi për ndonjë marrëveshje që do ta bënte Ukrainën pjesë të Rusisë. Mund të marrësh pjesë të Ukrainës dhe t’ia bashkosh Rusisë - gjë të cilën Rusia e do dhe po përpiqet t’i bindë amerikanët ta pranojnë në mënyrë implicite ose eksplicite.

Ajo do të preferonte që amerikanët ta pranonin në mënyrë eksplicite, por nëse ata e pranojnë në mënyrë implicite, si diçka që është për keqardhje, por e nevojshme për paqen, atëherë ky është një plan i mirë B për Putinin - edhe pse ai do të preferonte të kishte marrëveshje formale.

Radio Evropa e Lirë: A mund të sinjalizojë e gjithë kjo një ndryshim më të gjerë në politikën e jashtme të SHBA-së, përfshirë edhe qasjen e saj ndaj mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi?

James Hooper: Mosmarrëveshja Kosovë-Serbi është tjetër gjë dhe është shumë e rëndësishme që të pyesni për këtë.

Mendoj se është shumë e rrezikshme që Kosova t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara në përpjekjet e saj për të arritur marrëveshje me Serbinë, sepse, shikoni, Shtetet e Bashkuara nuk po i ndihmojnë Ukrainës.

Tash kur Shtetet e Bashkuara janë përfshirë në [zgjidhjen e konfliktit në] Ukrainë, ato janë rreshtuar në anën e autokratit, në anën e Rusisë, e jo në anën e demokracisë së vërtetë.

Pra, është shumë vështirë që kosovarët të presin se Shtetet e Bashkuara do t’u vijnë në ndihmë ose do t’i ndihmojnë në të njëjtën mënyrë siç i kanë ndihmuar [mbi] 20 vjet më parë në luftën me Serbinë.

Unë, thjesht, nuk e shoh se kjo mund të ndodhë. Plus, është e rrezikshme për Kosovën që Shtetet e Bashkuara të përfshihen tani, sepse kryeministri [i Kosovës, Albin] Kurti i ka dëmtuar seriozisht marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në. Dhe, derisa kjo marrëdhënie nuk riparohet, përfshirja e SHBA-së nuk do të jetë ndihmesë për Kosovën.

Kështu që, gjëja e parë që duhet të bëjë kryeministri Kurti - nëse do që t’i përfshijë Shtetet e Bashkuara - është t’i riparojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara dhe më pas t’i përfshijë ato.

Radio Evropa e Lirë: A mund të ecë Kosova përpara pa shtytjen e SHBA-së?

James Hooper: Po, mendoj se është e mundur. Këtu ka një pyetje strategjike. A mund të sigurojë Kosova marrëveshje më të mirë, duke e negociuar atë vetë, direkt me Serbinë? Apo do të sigurojë marrëveshje më të mirë nëse SHBA-ja është e përfshirë? Kjo është një çështje strategjike, për të cilën duhet të vendosë Kosova.

Unë nuk mendoj se është e mundur që Kosova të arrijë një marrëveshje që i zgjidh të gjitha problemet e saj me Serbinë, pa përfshirjen e Shteteve të Bashkuara. Pajtohem me këtë.

Por, Kosova mund të arrijë qëllime më të vogla - edhe pse shumë të rëndësishme - nëse negocion drejtpërdrejt me Serbinë.

Nëse kryeministri Kurti do të fokusohej në përfundimin e konfrontimit, mendoj se është e mundur që ai të negociojë drejtpërdrejt me Serbinë dhe të ketë sukses në këtë.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se administrata e re amerikane do t’i qaset mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi? Sa lart do të jetë ajo në prioritetet e saj?

James Hooper: Do të jetë një prioritet i ulët. Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk ka përvojë në Ballkan, ndaj nuk mendoj se do të jetë fokusi i tij.

Nëse do të kishte ndonjë krizë, siç ka ndodhur disa muaj më parë, kur është dukur se ekziston rreziku i sulmit të Serbisë përtej kufirit, Shtetet e Bashkuara do të mund të ndërhynin.

E, nëse Shtetet e Bashkuara përfshihen, atëherë do të kishit avantazhin ose rrezikun e një zgjidhjeje të imponuar - një zgjidhjeje të imponuar nga Shtetet e Bashkuara. Unë mendoj se Kosova duhet të mendojë me shumë kujdes për këtë - nëse dëshiron të ketë një zgjidhje të imponuar amerikane.

Por, unë mendoj se Kosova duhet ta shqyrtojë edhe nëse është më mirë për interesat e saj që të negociojë drejtpërdrejt me Serbinë. Unë vetë besoj se do të ishte më mirë që Kosova të negocionte drejtpërdrejt me Serbinë për t’i dhënë fund konfrontimit.

E përsëris, Kosova nuk do të mund ta sigurojë njohjen nga Serbia duke negociuar drejtpërdrejt me të, sepse Serbia nuk do ta njohë Kosovën derisa ajo të pranohet si anëtare e BE-së. Dhe, kjo nuk do të ndodhë shpejt, me aq sa kuptoj BE-në dhe synimet e saj.

Por, ka një sërë gjërash që udhëheqësit e Kosovës mund t’i bëjnë. Gjëja më thelbësore është t’i riparojnë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Rregullojeni atë marrëdhënie përpara çdo gjëje tjetër!

Së dyti, mendoj se ata duhet të zhvillojnë marrëdhënie të mirë, solide me shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas. Ajo është nga Estonia. Estonia është një shtet i vogël, i cili ka qenë nën kontrollin e Bashkimit Sovjetik. Pra, e di se si është të jesh i pushtuar nga një fuqi armiqësore. Ndaj, mendoj se Kallas do të jetë dashamirëse, ose së paku do ta kuptojë situatën në Kosovë.

Dhe, së treti, kryeministri Kurti duhet të zhvillojë një marrëdhënie me presidentin [Aleksandar] Vuçiq të Serbisë.

Radio Evropa e Lirë: Por, a mendoni se Serbia do të pranonte të angazhohej drejtpërdrejt me Kosovën?

James Hooper: Po. Pse nuk do të pajtohej? Mes [ish-presidentit të Kosovës, Hashim] Thaçi dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq, ka pasur një marrëdhënie komunikimi dhe ka qenë shumë produktive. Ndoshta disa kosovarë janë kritikë dhe nuk pajtohen me mua, por ajo ka qenë një marrëdhënie produktive. Nuk i ka bërë miq, por i ka bërë të mësojnë se si të merren me njëri-tjetrin dhe si të komunikojnë me njëri-tjetrin.

Tani, unë nuk mendoj se zoti Vuçiq ka ndonjë pëlqim të veçantë apo ndonjë respekt të veçantë për zotin Kurti. Dhe, nuk mendoj se zoti Kurti ka ndonjë respekt të veçantë për zotin Vuçiq. Unë mendoj se ai e sheh Serbinë si armike të përhershme të Kosovës dhe ai dëshiron që populli i Kosovës të pajtohet me këtë dhe shumëkush pajtohet.

Ai, po ashtu, do që bashkësia ndërkombëtare ta mbështesë Kosovën dhe ta mbrojë atë nga armiku i saj - pra ta trajtojë Serbinë si armike. Unë nuk mendoj se komuniteti ndërkombëtar do ta bëjë këtë. Nuk mendoj se është dakord me zotin Kurti për këtë.

Por, unë mendoj se është plotësisht e mundur që Kosova të ketë marrëdhënie me Serbinë, e cila nuk është marrëdhënie miqsh, por fqinjësh. E vetmja mënyrë për ta arritur këtë, sipas mendimit tim, është që udhëheqja e Kosovës të zhvillojë një kanal komunikimi me zotin Vuçiq.

Radio Evropa e Lirë: E thatë disa herë se Qeveria e Kosovës duhet t’i përmirësojë marrëdhëniet e saj me Shtetet e Bashkuara. Si?

James Hooper: Qeveria e Kosovës duhet të komunikojë, duhet të mësojë se si të komunikojë në mënyrë më efektive me Uashingtonin.

Tani për tani, Qeveria amerikane e konsideron kryeministrin Kurti si kokëfortë, të paaftë për të negociuar dhe ngatërrestar. Është shumë e rrezikshme për Kosovën kur amerikanët e shohin atë si problem.

Kosova duhet të ketë një marrëdhënie më të mirë, pra të komunikojë më mirë me Uashingtonin dhe të mos i japë leksione Uashingtonit.

Unë mendoj se amerikanët besojnë se Qeveria e Kosovës po përpiqet të krijojë probleme me Serbinë. Unë e di se Serbia nuk është e pafajshme në këtë situatë dhe se, ndonjëherë, do që të krijojë probleme me Kosovën.

Por, është e rrezikshme që amerikanët të besojnë se Kurti është ngatërrestari kryesor në Ballkan, që dëshiron të krijojë probleme me Serbinë, të cilat mund të kërkojnë ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s. Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndërhyjnë ushtarakisht në një situatë krize në Kosovë. Dhe, nuk mendoj se Kosova duhet të supozojë se Shtetet e Bashkuara do të ndërhyjnë.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se përkushtimi i Uashingtonit ndaj sovranitetit të Kosovës do të mbetet po aq i fuqishëm sikurse më parë?

James Hooper: Ajo që mund të thuhet për [ish-presidentin amerikan, Joe] Biden, është se ai ka pasur njohuri për Ballkanin. Si senator, ai ka qenë shumë i përfshirë në Ballkan - qoftë me Kosovën, qoftë me Bosnje e Hercegovinën. Dhe, mendoj se mbështetja e tij për sovranitetin e Kosovës ka qenë shumë e fortë. Nuk mund të imagjinoj ndonjë më të fortë.

Unë nuk do të pretendoja se mbështetja e Amerikës për sovranitetin e Kosovës do të vazhdojë. Me siguri se do të vazhdojë, por unë nuk do ta bëja atë supozim. Kosova duhet të punojë më shumë për t’i bindur amerikanët që të përfshihen në mënyrë aktive dhe të angazhohen në mënyrë aktive.

Ky është vërtet mesazhi im, që Kosova nuk duhet të supozojë asgjë rreth Shteteve të Bashkuara, por duhet të punojnë për ta siguruar mbështetjen e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Nëse SHBA-ja do të kishte një qasje më transaksionale - siç thonë tani për presidentin Trump - çfarë do të mund t’i kërkonte Kosovës në atë rast? A do të mund të përballet Kosova me presion për të bërë ndonjë koncesion territorial apo politik?

James Hooper: Një marrëveshje transaksionale mund të nënkuptojë që amerikanët presin nga kosovarët të bëjnë lëshime politike. Ndoshta edhe territoriale... por mendoj koncesione politike.

Radio Evropa e Lirë: A keni diçka konkrete në mendje?

James Hooper: Nuk dua të jem i padrejtë ndaj presidentit Trump... Së pari, ai nuk e kupton Ballkanin, nuk është përpjekur kurrë që ta kuptojë dhe nuk pretendon se e kupton. Nuk është një element kryesor i politikës së tij ndaj Evropës. Është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës që ta ndihmojë presidentin Trump që të kuptojë më mirë Ballkanin.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë hapash duhet të ndërmarrë Kosova për të mbrojtur interesat e saj?

James Hooper: Mendoj se Kosova ka nevojë për një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Serbinë, të cilën nuk e ka tani. Nëse nuk mund të llogaritet automatikisht se SHBA-ja dhe NATO-ja do ta mbrojnë

Kosovën në çdo situatë krize, atëherë Kosova duhet të sigurohet që të mos ketë kriza dhe duhet t’i parandalojë ato, sepse çdo përshkallëzim i situatës do të kërcënonte pavarësinë e Kosovës.

Unë mendoj se Kosovës i duhet një strategji, kryeministrit i duhet një strategji. Dhe strategjia duhet të jetë anëtarësimi i Kosovës në NATO. Sigurisht që Kosova dëshiron të jetë në NATO dhe të gjithë e dinë këtë.

Por, nuk mendoj se Kosova e di se si të futet në NATO. Nuk është e lehtë, por kjo është ajo që Kosovës i duhet shumë - të jetë pjesë e NATO-s. Mendoj se është më e rëndësishme për Kosovën që të jetë pjesë e NATO-s sesa e BE-së.

Populli i Kosovës duhet ta shohë si përgjegjësi të kryeministrit Kurti që të negociojë, të gjejë një mënyrë, një rrugë për ta futur Kosovën në NATO. Ky duhet të jetë qëllimi.

Radio Evropa e Lirë: Mendoni se Kosova tani nuk është duke punuar drejt atij qëllimi?

James Hooper: Po, por nuk është efektive. Çdokush e di se Kosova dëshiron të bëhet pjesë e NATO-s, nuk po zbuloj ndonjë të vërtetë të fshehtë, por problemi është se ju nuk mund të hyni në NATO duke i dëmtuar marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara. Sepse, nëse Shtetet e Bashkuara duan që Kosova të jetë në NATO, ajo do të jetë në NATO.

Edhe pse disa nga vendet e NATO-s nuk e duan këtë... nëse amerikanët duan që të ndodhë, do të ndodhë. Ky është realiteti.

Siç e them unë, NATO-ja është besimi në fuqinë, qëllimin dhe vendosmërinë amerikane. Dhe shtetet e tjera anëtare të NATO-s e kuptojnë rolin e rëndësishëm që luajnë Shtetet e Bashkuara - së paku rolin e rëndësishëm që kanë luajtur deri më tani. Në të ardhmen, do të shohim. Por, është përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës që të zhvillojë një strategji, për të ecur drejt anëtarësimit në NATO dhe për t’i bindur Shtetet e Bashkuara se është në avantazhin e tyre që Kosova të jetë në NATO.

Radio Evropa e Lirë: Kosova nuk e ka ende qeverinë e re - pas zgjedhjeve të 9 shkurtit - por cilat mendoni se duhet të jenë prioritetet e saj kur të formohet dhe pavarësisht se kush e formon atë?

James Hooper: Anëtarësimi në NATO. Prioritet i dytë duhet të jetë përfundimi i konfrontimit me Serbinë. Përfundimi i këtij konfrontimi e bën Kosovën gjithashtu kandidate më atraktive për anëtarësim në NATO, dhe është një gjë që mund të bëhet. Të dyja këto ndërlidhen - nëse e ke njërën, është më lehtë ta arrish tjetrën./REL

 

Po ndodh...

ide

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128