Ky është çifti që humbi jetën gjatë rrëzimit të helikopterit në Greqi, kishin shkuar për muaj mjalti, 31-vjeçari ishte zv.president i një banke në Londër

Ky është çifti britanik që humbi jetën në aksidentin tragjik të një dite më parë, ku një helikopter u rrëzua në ishullin grek të Sifnos. Alexander Cromie, 31 vjeç, dhe Marie Ebert, 30 vjeç, të dy me banim në Londër, kishin udhëtuar drejt Greqisë për të kaluar muajin e mjaltit, por udhëtimi i tyre përfundoi në tragjedi.
Çifti ishte martuar së fundmi dhe kishte marrë me qira një helikopter privat për të udhëtuar nga Markopoulo drejt Sifnos. Helikopteri u rrëzua të hënën pasdite, vetëm pak minuta para uljes së planifikuar në pistën e helikopterëve të ishullit.
Në aksident humbi jetën edhe piloti grek 53-vjeçar, Giorgos Raikos, një ish-oficer i Forcave Ajrore me përvojë të gjatë në fluturime.
Cromie punonte në zyrën e Blackstone në Londër, ku mbante detyrën e zëvendëspresidentit në sektorin e zgjidhjeve për pasurinë private. Pas lajmit për vdekjen e tij dhe bashkëshortes, kompania shprehu dhimbjen për humbjen.
“Jemi të shkatërruar nga vdekja tragjike e tre personave, përfshirë kolegun tonë Alex Cromie dhe gruan e tij Marie Ebert, të cilët po festonin muajin e mjaltit”, deklaroi Blackstone për *Daily Mail*.
Sipas raportimeve, piloti kishte komunikuar me shërbimet përkatëse pak para uljes, por më pas radioja heshti. Kamerat e sigurisë kanë fiksuar helikopterin Bell 206 duke humbur kontrollin dhe lartësinë, përpara se të përplasej në tokë dhe të përfshihej nga flakët.
Banorët e zonës kanë raportuar se kishin dëgjuar një zhurmë të pazakontë nga helikopteri pak para rrëzimit. Shërbimet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, por për tre personat në bord nuk kishte më mundësi shpëtimi.
Zëvendëskryetari i bashkisë së Sifnos, Manolis Fountoulakis, përshkroi skenën e gjetur nga ekipet e shpëtimit si tepër të rëndë.
“Nuk kishte mbetur asgjë, një masë pa formë, brenda së cilës duhet të kenë qenë dy trupat e karbonizuar”, tha ai.
Ndërkohë, autoritetet greke kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e rrëzimit. Një nga pistat që po shqyrtohet lidhet me një problem të mundshëm mekanik, pasi dëshmitarët kanë raportuar një zhurmë të fortë dhe të pazakontë pak para aksidentit.
Kryetarja e bashkisë së Sifnos, Maria Nadali, e cilësoi ngjarjen si një tragjedi që ka tronditur të gjithë ishullin.
“Është një ngjarje tronditëse. Jemi të tronditur dhe po përpiqemi, së bashku me shërbimet kompetente, të menaxhojmë pasojat e këtij incidenti”, tha ajo për mediat lokale.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128