Zjarri në hotelin “Brooklyn” në Vlorë, 25-vjeçarja me djegie të rënda dërgohet për trajtim në Turqi

18 August 2026, 14:29 / AKTUALITET ALFA PRESS

25-vjeçarja Ana Dyrmishi e cila dy ditë më parë pësoi djegie në rreth 85% të sipërfaqes së trupit pas zjarrit të rënë në hotelin “Brooklyn” në Vlorë, është nisur për trajtim të specializuar në Turqi.

Gjendja e saj e rënduar kërkon ndërhyrje dhe trajtim të specializuar për pacientët me djegie të rënda, ndërsa transferimi jashtë vendit nxjerr sërish në pah kapacitetet që ofron sistemi shëndetësor shqiptar për raste të komplikuara.

Ndërsa qeveria Rama ka deklaruar vazhdimisht se shëndetësia ka qenë një nga sektorët prioritarë të investimeve, raste të pacientëve që kërkojnë trajtim jashtë nxjerrin në pah kapacitet e kufizuara në spitalet tona.

Ngjarja

Zjarri ra rreth orës 04:05 të mëngjesit të 16 gushtit, në ambientet e brendshme të hotelit “Brooklyn”, në lagjen “10 Korriku”, në Lungomare të Vlorës.

Sipas Policisë së Vlorës, pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë, zjarri dyshohet se ishte aksidental dhe nisi nga djegia e një prize elektrike të frigoriferit në ambientet e restorantit.

Flakët u përhapën në hotel ndërsa pushuesit ndodheshin në dhomat e tyre. Situata u bë veçanërisht e rrezikshme në katin e dytë, ku disa prej pushuesve mbetën të bllokuar nga tymi dhe flakët. Disa prej tyre, për t’i shpëtuar zjarrit, u detyruan të dilnin nga dritaret dhe të hidheshin nga lartësia, duke pësuar dëmtime.

Personat e lënduar

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, 6 persona u lënduan. Pesë prej tyre u transportuan për trajtim në Tiranë, ndërsa një tjetër mori ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Ana Dyrmishi, 25 vjeç – djegie në rreth 85% të trupit;

Aldo Kasimi, 30 vjeç – djegie në rreth 30% të trupit;

Ndorina Rexhepi, 25 vjeç;

Arlinda Rexhepi, 27 vjeç;

Erza Grainca, 21 vjeç;

Luan Saliu, 21 vjeç.

Një pjesë e të lënduarve pësuan dëmtime nga kërcimi nga kati i dytë, ndërsa të tjerë pësuan djegie dhe dëmtime nga ekspozimi ndaj flakëve dhe tymit.

 

Po ndodh...

ide