Lulzim Basha reagon pas ndarjes nga jeta të Gjergj Hanit: Humbëm një burrë fisnik që nuk lejoi diktaturën t’i shuante zërin e kërkonte demokraci

12 November 2026, 16:32 / POLITIKË ALFA PRESS
Lulzim Basha reagon pas ndarjes nga jeta të Gjergj Hanit: Humbëm

Ish-lideri demokrat Lulzim Basha ka reaguar për humbjen e parakohshme të ish-të burgosurit politik Gjergj Hani, të cilin e kujton si një burrë fisknik i cili nuk i negocoi kurrë parimet e tij.

“Me trishtim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Gjergj Hanit. Një burrë fisnik, me karakter të fortë dhe dinjitet të rrallë, që nuk i negocioi kurrë parimet dhe vlerat e tij. Një njeri që e njohu herët çmimin e lirisë dhe që, pavarësisht gjithçkaje që përjetoi, nuk hoqi dorë kurrë prej saj.”, shkruan Basha në postimin e bërë pasditen e sotme në rrjet.

Duke shkruar për të shkuarën e Gjergj Hanit, një ish-i burgosur politik dhe i mbijetuar i diktaturës, Basha shkruan për guximin e Hanit të cilin e kujton si sypatrembur përballë pushtetit që kërkonte të rikthente lirinë, demokracinë dhe vlerat konservatore.

“Por Gjergj Hani nuk ishte vetëm një i mbijetuar i diktaturës. Ai ishte një njeri që zgjodhi të mos heshte përballë së kaluarës. Besonte se krimet e komunizmit duhej të dokumentoheshin, se historia duhej të analizohej mbi bazën e fakteve dhe se shoqëria shqiptare kishte nevojë për një përballje të vërtetë me të shkuarën, përfshirë edhe procesin e lustracionit.

Edhe në angazhimin e tij publik dhe politik, mbeti i lidhur me bindjet e veta. Kërkonte një të djathtë që të rikthente në themel lirinë, demokracinë dhe vlerat konservatore, duke e konsideruar moralin dhe dinjitetin si parime të panegociueshme të jetës publike.”, vijon më tej reagimi i Bashës.

Reagimi i plotë i Lulzim Bashës:

Me trishtim të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Gjergj Hanit. Një burrë fisnik, me karakter të fortë dhe dinjitet të rrallë, që nuk i negocioi kurrë parimet dhe vlerat e tij. Një njeri që e njohu herët çmimin e lirisë dhe që, pavarësisht gjithçkaje që përjetoi, nuk hoqi dorë kurrë prej saj.

Gjergj Hani ishte vetëm 16 vjeç kur guxoi të sfidonte diktaturën komuniste dhe të kërkonte lirinë përtej kufirit. Natën e 27 majit 1985, teksa përpiqej të arratisej përmes liqenit të Ohrit, në zonën e Linit, u zbulua nga rojet kufitare dhe u qëllua me armë. Pas arrestimit, regjimi e akuzoi për tradhti ndaj atdheut dhe e dënoi me pesë vjet burg.

Ende i mitur, u dërgua në burgun famëkeq të Qafë-Barit, ku u detyrua të punonte në minierë. Por as lirimi i tij përmes amnistisë nuk i dha fund përndjekjes. Në vitin 1987 u arrestua përsëri dhe u dënua me 11 vjet burg. Lirinë e rifitoi vetëm më 6 shkurt 1991, pas afro pesë vitesh burgim në dy dënime politike. Një muaj më vonë emigroi në Itali, në kërkim të lirisë që diktatura ia kishte mohuar në vendin e tij.

Por Gjergj Hani nuk ishte vetëm një i mbijetuar i diktaturës. Ai ishte një njeri që zgjodhi të mos heshte përballë së kaluarës. Besonte se krimet e komunizmit duhej të dokumentoheshin, se historia duhej të analizohej mbi bazën e fakteve dhe se shoqëria shqiptare kishte nevojë për një përballje të vërtetë me të shkuarën, përfshirë edhe procesin e lustracionit.

Edhe në angazhimin e tij publik dhe politik, mbeti i lidhur me bindjet e veta. Kërkonte një të djathtë që të rikthente në themel lirinë, demokracinë dhe vlerat konservatore, duke e konsideruar moralin dhe dinjitetin si parime të panegociueshme të jetës publike.

Gjergj Hani nuk arriti ta kalonte kufirin atë natë maji të vitit 1985. Por nuk lejoi që diktatura t’ia shuante zërin. Deri në fund të jetës mbeti një dëshmitar i qëndresës dhe një njeri që besonte se liria nuk është thjesht rrëzimi i një regjimi, por edhe një proces i brendshëm, një mënyrë për të jetuar pa tradhtuar veten.

Do të mbetet në kujtesë për guximin, dinjitetin dhe besnikërinë ndaj parimeve të tij. Ngushëllimet më të sinqerta bashkëshortes Freskidës dhe familjes së tij. U prehtë në paqe!

Po ndodh...