"Pse" dhe "Kush" e zhduku nga harta - Prusinë?

18 Gusht 2022, 13:06 / MADE IN ALFA NGA KLODI STRALLA

"Pse" dhe "Kush" e zhduku nga harta - Prusinë?

Gjermania është sot një shtet federal i përbërë nga 16 republika (Lande). Historikisht secila prej tyre, rreth 150 vjet më parë, ishte shtet i pavarur dhe qe Bismarku, kancelari i Prusisë, ai që realizoi bashkimin e tyre në një shtet të vetëm. Prusia e realizoi bashkimin gjerman me luftë ndaj Francës (beteja e Metz 1870) dhe ndaj Austro-Hungarisë (beteja e Sadovës 1871), që ishin dy shtetet fqinj që e penguan këtë bashkim për mëse 3 shekuj, nën bekimin e Anglisë.

Në vend që Prusia, si shteti me kontributin parësor në formimin e kombit gjerman, të ishte sot shteti më i madh e më i fuqishëm i federatës (siç ish deri në 1945), sot ajo nuk figuron fare si shtet në hartën e Gjermanisë. Lapsi i Rusveltit, Çurçillit dhe Stalinit e fshiu nga harta me marrëveshjen e Jaltës (1945). Gjermanisë i hoqën kështu zemrën dhe një pjesë të shpirtit, ndonëse i lanë trurin dhe stomakun e saj.

Prusia ishte krenaria kombëtare, teutonët, disiplina dhe rregulli, por mbi të gjitha ajo qe ia kishin më shumë frikën armiqtë e saj - shpirti luftarak. Rast i paprecedent në histori, për të cilin flitet pak apo aspak edhe në tekstet shkollore.

Territori i Prusisë të dikurshme është sot një pjesë e vogël e rrethinave të Berlinit, Polonia perëndimore, një pjesë e Lituanisë dhe krahina pykë e Kaliningradit rus, dikur Koningsbergu, ku jetoi dhe punoi filozofi i madh Emanuel Kant.

Ne shqiptarët, me të drejtë, ankohemi se Traktatet ndërkombëtare lanë jashtë shtetit shqiptar të 1913-ës (Shqipëria londineze) gjysmën e territoreve të banuara nga shqiptarë, ndonëse ato territore asnjëherë nuk kanë qenë pjesë e shtetit shqiptar, siç ishte Prusia. Nën Jugosllavi, Kosova pati statusin e Krahinës autonome, ndërkohë që Prusia, pas 1945-ës, humbi territorin dhe emrin.

Si nuk ndihen gjermanët që jashtë territorit të sotëm të tyre ka mbetur Prusia, “nëna” që lindi dhe rriti Gjermaninë e bashkuar? Jo vetëm kaq, por politika e zonjës Merkel është përkrahësja më e flaktë e mosndryshimit të kufijve të Europës, të vendosura nga fitimtarët e LDB !

Disa mund të thonë që territori nuk luan sot atë rol që ka patur dikur dhe përparësi merr zgjerimi i butë ekonomik (pa luftë), përmes investimeve fitimprurëse. Unë mendoj se madhësia e territorit dhe popullsisë të një vendi ka rolin dhe peshën e vet ne raporte midis kombeve. Edhe Shqipëria e bashkuar do të jetë më e zhvilluar, më e maturuar dhe më dinjitare kundrejt fqinjëve se sa është sot.

Po ndodh...