Media e madhe Der Standard: Nuk ndalen protestat në Shqipëri, Rama dhe Berisha të korruptuar!
Protesta që nisi me mbrojtjen e flamingove dhe të zonave të mbrojtura në Shqipëri tashmë ka kaluar kufijtë e një kauze mjedisore, duke u shndërruar në një revoltë më të gjerë ndaj mënyrës së qeverisjes së vendit. Gazeta austriake “Der Standard” i kushton një artikull të posaçëm lëvizjes së protestuesve, duke e vendosur në fokus përballjen e Edi Ramës me një pakënaqësi qytetare që, sipas saj, prek jo vetëm projektet turistike, por edhe korrupsionin, oligarkinë dhe funksionimin e institucioneve në Shqipëri.
Artikulli i plotë
Prej më shumë se 100 ditësh, Shqipëria po përballet me një valë protestash të njohura si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje që nisi si kundërshtim ndaj projekteve turistike në zonat e mbrojtura, por që tashmë ka marrë një dimension më të gjerë politik. Në ditën e 100-të të protestave kundër klasës politike në pushtet, demonstrata në Tiranë mori sërish përmasa të konsiderueshme. Protestuesit u kapën për dore, formuan një rreth dhe kërcyen rreth godinës së qeverisë.
Lëvizja kërkon tërheqjen e dy ligjeve që mundësojnë ndërtimin e resorteve të mëdha turistike në një zonë të mbrojtur pranë Vlorës. Një prej këtyre investimeve lidhet me një kompani nën drejtimin e Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump. Në fokus janë ligji për mbrojtjen e zonave natyrore dhe ai për investimet strategjike, të cilat, sipas artikullit, janë iniciuar nga qeveria e Edi Ramës dhe bien ndesh me të drejtën e Bashkimit Evropian.
Edhe pse Komisioni Evropian, në kuadër të procesit të afrimit të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, ka kërkuar tërheqjen e këtyre ligjeve, qeveria shqiptare nuk ka ndërmarrë hapa në këtë drejtim. Sipas autores, Rama duket se po përpiqet t’u rezistojë protestave deri në momentin kur ato të humbasin forcën dhe të shuhen.
Gjatë protestave janë dëgjuar thirrje si “Fundi juaj ka ardhur”, “Shqipëria e re”, “Rama, jep dorëheqjen” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”. Artikulli thekson se Sali Berisha, lideri i Partisë Demokratike, nuk shihet nga shumë shqiptarë si një alternativë e besueshme, pasi edhe opozita tradicionale konsiderohet nga një pjesë e shoqërisë si e prekur nga korrupsioni.
Mbrojtja e natyrës ishte shkëndija që ndezi protestat, të cilat sipas “Der Standard” janë ndër protestat më të gjata dhe më intensive kundër qeverisë së Edi Ramës. Por tashmë, çështja ka kaluar përtej mbrojtjes së mjedisit. Për herë të parë, shkruan gazeta austriake, në Shqipëri po vihet në pikëpyetje një sistem ekonomik dhe qeverisës që mbështetet te një numër i vogël oligarkësh të fuqishëm, të cilët kanë aq shumë pasuri dhe ndikim sa mund të ndikojnë edhe në hartimin e ligjeve.
Artikulli ngre gjithashtu pretendime për lidhjet mes oligarkëve, aktiviteteve kriminale dhe projekteve të mëdha ndërtimore, të cilat mund të përdoren për pastrimin e parave. Përballë këtij realiteti, shumë shqiptarë ndihen të pafuqishëm dhe kanë zgjedhur të largohen nga vendi. Në këtë situatë, SPAK-u, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, shihet nga shumë qytetarë si një prej institucioneve të pakta që ende mund të rikthejë besimin te shteti ligjor, transparenca dhe përgjegjshmëria.
Sipas artikullit, protestat e përditshme kanë ndikuar edhe në rritjen e vetëbesimit të qytetarëve. Një pjesë e shoqërisë shqiptare nuk është më e gatshme të pranojë gjithçka në heshtje dhe ka nisur të kërkojë ndryshime.
Megjithatë, sipas “Der Standard”, një prej problemeve kryesore mbetet mungesa e një force të madhe dhe të besueshme opozitare që mund ta kanalizojë këtë pakënaqësi shoqërore në një alternativë të re politike. Ndërkohë, një pjesë e fuqisë së Ramës është mbështetur edhe te strategjia e tij e komunikimit dhe imazhit ndërkombëtar. Ai është paraqitur jashtë Shqipërisë, përfshirë edhe në Evropë, si një lider novator dhe krijues, i cili sjell ndryshime. Por, shkruan gazeta, ky imazh është dëmtuar ndjeshëm nga zhvillimet e fundit.
Mediat ndërkombëtare kanë raportuar prej muajsh mbi situatën në Shqipëri, duke vënë në fokus korrupsionin, përqendrimin e pasurisë dhe stilin e qeverisjes së Ramës.
Përgjegjësia për ndryshimin e vendit nuk i takon vetëm politikës, por edhe vetë qytetarëve”- shprehet politologu Fatos Lubonja./Përktheu Alfapress.al, marrë nga Der Standard
Po ndodh...
ide
PS dhe PD kanë krijuar një ekuilibër të palëkundshëm Nash
Insistimi tek krimi, arësyeja përse kryeministri Rama duhet të dorëhiqet
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128