E “premtja e zezë” e deputetëve të PS, pse zgjodhën tani të ulen gju më gju me popullin?

5 September 2026, 21:29 / IDE NGA RIGELS SELIMAN
E “premtja e zezë” e deputetëve të PS, pse

O popull, a e morët vesh? E premtja pasdite për pushtetarët dhe politik-qenerit nuk do të jetë më ora kur ngrihet sipari i fundjavës së relaksit, por është dita kur ata do të shikojnë qytetarët në sy dhe t’i dëgjojnë vesh më vesh. Pas urdhrit të prerë nga udhëheqja e Partisë Socialiste, e “premtja e zezë” e deputetëve i zbarkoi ligjvënësit socialist direkt në territor për të zbatuar nismën ushtarake të “Pranisë Besnike”.

Papritur e pakujtuar, elitës sonë parlamentare i doli detyrë të ulet gju më gju me popullin hallemadh, pikërisht tani që pushteti ka hyrë në vitin e dytë të mandatit të katërt e që e shijon i vetëm panoramën nga lartësitë. Çfarë mallëngjimi të shohësh politikanët që lënë zyrat me ajër të kondicionuar për t’u përballur me varfërinë, skamjen dhe mungesën e shpresës që prej kohësh është ulur këmbëkryq në çdo shtëpi të shqiptarëve! Qytetarët që zvarriten zyrave të shtetit prej vitesh për legalizimin e shtëpisë tani do të kenë fatin e madh t’ia thonë hallin në sy deputetit, ndërkohë që ligjvënësi vetëm do të mbajë shënime si një “kompjuter i mirë”. Çmimet e ushqimeve e të jetesës kanë kapur stratosferën, por nuk ka gjë, sepse buzëqeshja empatike e pushtetarit në orën 17:00 do të zëvendësojë çdo mungesë në tryezë.

Qytetarit të thjeshtë sot i duhet të punojë plot 40 e kusur vite vetëm për të blerë një banesë për të future kokën, por të paktën këtë të premte mund të ankohet “me zë të ulët” te përfaqësuesi i tij. Është vërtet prekëse sesi deputetët nuk po ulin vetëm trupin mes popullit, por po mbledhin edhe pikët e performancës për të rënë në sy të liderit. Me sa duket, halli më i madh në këtë vend nuk është mbijetesa e përditshme e njerëzve, por frika e deputetit se mbetet pa i kapur 100 pikët e kryeministrit. Ky zbarkim me urdhër është një shfaqje e përsosur teatrore, ku dëgjimi “tek për tek” propozohet si zgjidhja magjike për stomakun bosh. Në këtë cirk ku halli i sovranit vlen sa një “like” në aplikacion, popullit i mbetet vetëm të shijojë spektaklin e sovranëve të djeshëm që sot lypin mëshirë për një vend në listë në zgjedhjet e ardhshme parlamnetare. Pasi të numërojnë pikët e performancës mbi kurrizin tonë, deputetët do të ikin përsëri në punë të vet, ndërsa ne do të mbetemi po me ato xhepa të shpuar, por tashmë të “dëgjuar besnikërisht”!

Po ndodh...

ide