Shtyhet telefonata mes Merz dhe Trump, në sfond përplasja për AfD-në

9 September 2026, 16:31 / BOTA ALFA PRESS
Shtyhet telefonata mes Merz dhe Trump, në sfond përplasja për

Telefonata mes kancelarit gjerman Friedrich Merz dhe presidentit amerikan Donald Trump, e planifikuar për sot, është shtyrë nga pala gjermane. Berlini nuk ka dhënë një arsye të qartë dhe ka mohuar se bëhet fjalë për një problem me axhendën.

Shtyrja vjen vetëm një ditë pasi Trump përshëndeti publikisht rezultatin e zgjedhjeve të Saksonisë-Anhalt, ku partia e djathtë ekstreme AfD arriti një rezultat historik.

Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump e cilësoi rezultatin si një sukses të madh për AfD-në. Ai shkroi se gjermanët janë lodhur nga rregullat dhe politikat e migracionit dhe e mbylli mesazhin me sloganin: “Make Germany Great Again”. Por qëndrimi i Trump është krejt ndryshe nga ai i kancelarit Merz. Për qeverinë gjermane, AfD-ja është një forcë politike që duhet ndalur.

Përplasja u bë e dukshme edhe sot në Bundestag, gjatë debatit për buxhetin e Gjermanisë. Merz u përball drejtpërdrejt me lideren e AfD-së, Alice Weidel, dhe kritikoi ashpër politikën e partisë për të ashtuquajturën “remigrim”.

Sipas Merz, ideja e AfD-së për kthimin e emigrantëve dhe personave me origjinë të huaj në vendet e tyre do të përbënte një formë të “spastrimit etnik”. Weidel iu kundërpërgjigj duke thënë se rezultati i zgjedhjeve në Saksoninë-Anhalt tregon dobësimin e CDU-së së Merz dhe rritjen e fortë të AfD-së.

Në zgjedhje, AfD mori 43,8% të votave, ndërsa CDU-ja e kancelarit Merz vetëm 17,2%. Rezultati përbën një goditje të rëndë për kancelarin, i cili e kishte cilësuar humbjen si më të rëndën për CDU-në në vite, madje ndoshta në dekada.

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Stefan Kornelius, nuk ka konfirmuar se shtyrja e telefonatës me Trump lidhet me komentet e presidentit amerikan për AfD-në. Telefonata pritej të shërbente edhe për përgatitjen e bisedimeve dhe ceremonive për përvjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

Megjithatë, shtyrja vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Berlinit janë përballë mosmarrëveshjeve të shumta. Përplasjet lidhen me emigracionin, luftën në Ukrainë, marrëdhëniet me Rusinë dhe, në një kuptim më të gjerë, me të ardhmen e Evropës dhe vlerat demokratike.

Marrëdhënia mes Merz dhe Trump nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë në qershor 2025, Merz u përpoq ta bindte Trumpin të mbante një qëndrim më të ashpër ndaj Vladimir Putinit për luftën në Ukrainë. Trump, në atë kohë, e krahasoi konfliktin me një “zënkë mes fëmijësh”.

Më vonë, të dy liderët u përpoqën të afroheshin. Vetëm tre muaj më parë, gjatë samitit të G7 në Évian, Merz i dhuroi Trumpit një fanellë të kombëtares gjermane me emrin “Trump” dhe numrin 47, me rastin e 80-vjetorit të presidentit amerikan.

“Dopotutto, siamo nella stessa squadra” (Fundja, jemi në të njëjtën skuadër), i kishte thënë Merz, duke e paraqitur marrëdhënien mes tyre si një bashkëpunim mes aleatëve. Por sot situata duket shumë më ndryshe: Trump përshëndet suksesin e AfD-së, ndërsa Merz e konsideron këtë parti një kërcënim për Gjermaninë.

Po ndodh...