Edi Rama, Harari dhe algoritmi!

4 September 2026, 15:59 / IDE NGA ERMAL PEçI
Edi Rama, Harari dhe algoritmi!

Nga Ermal Peçi

Para disa ditësh, Edi Rama publikoi në rrjetet e tij sociale një prej mendimtarëve më të fuqishëm të kohës sonë, Yuval Noah Hararin. Mjafton të kesh lexuar librin Nexus për të kuptuar se çfarë thotë Harari për inteligjencën artificiale, rrjetet e informacionit dhe fuqinë që ato kanë mbi shoqërinë moderne. Por ekziston një diferencë e madhe mes asaj që Harari analizon dhe kontekstit në të cilin Rama e vendos atë.

Sepse, nëse e sheh historinë politike të Edi Ramës, sidomos mënyrën se si ai ka përdorur komunikimin, median dhe teknologjinë për të ndërtuar perceptimin publik, Nexus mund të lexohet edhe si një pasqyrë interesante e një mekanizmi që Rama e ka përdorur prej vitesh.

Historia politike njeh jo pak politikanë të fuqishëm, të cilët pikën e tyre më të fortë, me kalimin e kohës, e kanë kthyer edhe në pikën e tyre më të dobët. Edi Rama nuk bën përjashtim.

Që nga koha kur drejtonte Bashkinë e Tiranës e deri më sot, Rama ka ditur ta përdorë komunikimin si një instrument të rëndësishëm të pushtetit. Ai që në fillinet e veta politike nuk u fokusua vetëm në terren, por edhe në ekran, në titujt e lajmeve, në rrjetet sociale dhe, mbi të gjitha, në mënyrën se si ndërtohet perceptimi i publikut.

Rama ka qenë mjeshtër i këtij mekanizmi.

Ka ditur të ndërtojë histori politike, të shndërrojë projekte konkrete në simbole të ndryshimit dhe imazhin në një pjesë të rëndësishme të qeverisjes. Lyerja e fasadave, hapësirat publike, projektet urbane dhe komunikimi vizual u shndërruan në elementë të një narrative të re për Shqipërinë.

Por politika e perceptimit nuk është vetëm çështje imazhi.Është edhe çështje informacioni dhe pikërisht këtu bëhet interesant Nexus.

Harari shpjegon se pushteti i shoqërive moderne lidhet gjithnjë e më shumë me mënyrën se si informacioni prodhohet, filtrohet, organizohet dhe shpërndahet. Nuk mjafton më të kesh informacionin. E rëndësishme është të ndikosh edhe te mënyra se si ai arrin te publiku.

Në botën digjitale, algoritmi mund të përcaktojë çfarë shohim, sa herë e shohim dhe, po aq e rëndësishme, çfarë nuk shohim.

Në politikë, kjo mund të shndërrohet në një armë të jashtëzakonshme. Edi Rama e ka përdorur këtë mekanizëm prej kohësh. Rrjetet sociale, komunikimi institucional, mediat që ndërtojnë narrativën e ditës dhe makineria e komunikimit politik kanë krijuar për vite me radhë një ekosistem ku realiteti politik shpesh nuk është shfaqur vetëm ashtu siç është, por edhe ashtu siç është dashur të perceptohet.

Edhe përballë kundërshtarëve politikë, kjo logjikë është përdorur gjerësisht. Betejat politike janë shoqëruar me sulme mediatike, denoncime, lajme dhe fushata komunikimi, ku qëllimi nuk ka qenë gjithmonë vetëm të provohet një fakt, por edhe të ndërtohet një perceptim. Vetëm ndaj Lulzim Bashës u fabrikuan 50 milione masazhe fake për ta dëmtuar figurën e tij. Mënyra se si u fabrikua dhe u pasqyrua në mediat pranë qeverisë çështja Mc Gonigal është një tjetër dëshmi sesi Edi Rama përdorte çdo algoritëm edhe kur shkelte ligjin për të dëmtuar kundërshtarët e vet politikë. 

Por çdo algoritëm ka një problem, funksionon vetëm për aq kohë sa realiteti nuk e rrëzon dhe pikërisht këtu mund të jetë sot një prej problemeve më të mëdha të Edi Ramës.

Përballë një proteste që ka 91 ditë që zhvillohet para Kryeministrisë, përballë pakënaqësive sociale, problemeve ekonomike dhe krizave që nuk mund të mbulohen vetëm me komunikim, algoritmi i propagandës duket se po përballet me kufijtë e vet.

Mund të kontrollosh narrativën për një kohë.Mund të kontrollosh titullin. Mund të përcaktosh çfarë del në ekran. Mund të prodhosh qindra mesazhe, por nuk mund të kontrollosh pafundësisht atë që njerëzit përjetojnë çdo ditë. Nuk mund t’i bindësh pafundësisht njerëzit se gjithçka është mirë, kur jeta e tyre u thotë të kundërtën.

Kur realiteti i qytetarit fillon të jetë shumë larg realitetit që i paraqitet në ekran, algoritmi fillon të dështojë.

Shqipëria që shfaqet në komunikimin politik mund të jetë një Shqipëri me investime, fasada të reja, statistika, projekte dhe fotografi të bukura. Por Shqipëria që përjeton qytetari është ajo e çmimeve, pagave, emigrimit, mungesës së shërbimeve, korrupsionit, pasigurisë dhe mosbesimit.

Kur këto dy Shqipëri fillojnë të largohen shumë nga njëra-tjetra, nuk ka më algoritëm që mund ta mbulojë hendekun.

Ndoshta këtu qëndron edhe ironia e gjithë kësaj historie. Edi Rama ka qenë për vite një prej politikanëve shqiptarë që ka ditur më mirë të përdorë teknologjinë e komunikimit për të ndërtuar dhe konsoliduar pushtetin. Por pikërisht kjo armë, kur përdoret për të zëvendësuar realitetin me perceptimin, mund të kthehet në dobësinë e tij.

Harari na kujton se rrjetet e informacionit mund të ndërtojnë realitete politike, por edhe t’i rrëzojnë ato.

Megjithatë, ekziston diçka që është më e fortë se çdo algoritëm:realiteti. Kur realiteti nuk përputhet më me propagandën, algoritmi nuk të mbron, të tradhton.

Ndoshta Edi Rama do të kishte bërë mirë ta lexonte Nexus jo vetëm si një libër për inteligjencën artificiale, por edhe si një paralajmërim për fuqinë dhe kufijtë e informacionit, sepse edhe algoritmet kanë një kufi. Nuk mund ta bindësh pafundësisht një shoqëri se është mirë, kur ajo vetë e ndien se nuk është.

Po ndodh...

ide