Shkuan të vendosnin gjobë 5 milionë euro, qëllohet me armë drejt hotelit Vlorë! Autorët aksidentohen kur po arratiseshin

3 September 2026, 14:28 / AKTUALITET ALFA PRESS

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur mesditën e kësaj të enjte në një prej hoteleve në Vlorë, në zonën e Orikumit, ku një grup prej më shumë se 10 personash kanë hapur zjarr drejt ambienteve të këtij subjekti.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, ndërsa sipas informacioneve paraprake mësohet se personat fillimisht kanë kërcënuar pronarin e hotelit dhe më pas situata ka agravuar, duke përfunduar me përdorimin e armëve të zjarrit. Autorët dyshohet se kanë dashur t'i vendosin një gjobë prej 5 milionë eurosh pronarit, ndërsa pas konfliktit kanë hapur zjarr në drejtim të ambienteve të hotelit.

Menjëherë pas njoftimit për të shtënat, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë të cilat kanë nisur ndjekjen e personave të dyshuar si të përfshirë në ngjarje.

Gjatë largimit, automjeti me të cilin udhëtonin dy prej personave të dyshuar ka humbur kontrollin në urën e Peshkëpisë, në hyrje të qytetit të Vlorës, duke u aksidentuar dhe përfunduar i përmbysur. Si pasojë e aksidentit dy personat që ndodheshin në automjet kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar me ambulancë drejt spitalit për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej të plagosurve ka pësuar dëmtime të shumta në shpinë dhe në shtyllën kurrizore, ndërsa personi tjetër ka marrë dëmtime si pasojë e aksidentit.

Ndërkohë pas ngjarjes forca të shumta policie janë angazhuar në disa zona të qytetit të Vlorës, duke ushtruar kontrolle dhe duke ndjekur gjurmët e personave të dyshuar për përfshirjen në konflikt. Deri më tani policia ka shoqëruar rreth 10 persona në lidhje me ngjarjen, ndërsa vijojnë kontrollet për identifikimin dhe kapjen e të gjithë personave që mund të kenë marrë pjesë në sulm.

Të gjitha informacionet e lartpërmendura janë siguruar në rrugë jo zyrtare, për më tepër detaje priten një reagim nga Policia e Shtetit.

Po ndodh...

ide