Miliona euro, ar dhe cigare kontrabandë/ Greqia publikon bilancin e sekuestrimeve në kufi
Autoriteti i Pavarur i të Ardhurave Publike i Greqisë (AADE) ka publikuar bilancin e kontrolleve doganore për gjysmën e parë të vitit 2026, duke zbuluar shifra që tregojnë përmasat e kontrabandës dhe trafikimit të paligjshëm në pikat hyrëse dhe dalëse të vendit.
Kontrollet u zhvilluan në aeroporte, porte, pika kufitare tokësore, si dhe në automjete, bagazhe, pako postare dhe ambiente magazinimi. Operacionet u mbështetën nga skanerë me rreze X dhe qen të trajnuar për zbulimin e drogës, armëve, valutës, arit dhe mallrave të kontrabanduara.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan 2,065,416 euro, 91,723 dollarë amerikanë, 11,790 paund britanikë, si dhe shuma të konsiderueshme në valuta të tjera, përfshirë lekë shqiptarë. Po ashtu u konfiskuan një çek bankar me vlerë 191,357 lei rumunë, 60 monedha ari dhe gjashtë shufra ari me peshë totale 190 gramë.
Sasitë më të mëdha të parave të padeklaruara u zbuluan në pikat kufitare të Evzonit dhe Kipit, ku në secilin rast u sekuestruan mbi 700 mijë euro. Ndërkohë, në aeroportin ndërkombëtar “Eleftherios Venizelos” të Athinës u zbuluan shuma të mëdha parash në bagazhet e udhëtarëve që vinin nga Stambolli, Doha, Addis Abeba, Tirana, Nju Jorku dhe Bejruti. Edhe në aeroportin “Maqedonia” u konfiskuan 288,610 euro dhe 12,028 dollarë.
Një tjetër fokus i operacioneve ishte lufta kundër kontrabandës së duhanit. Në total u sekuestruan 4.1 milionë cigare, 70 kilogramë duhan, 3,346 puro dhe 29,340 shkopinj duhani të nxehtë.
Vetëm në aeroportin e Athinës, 17 pasagjerë që mbërritën nga Kajro, Jerevani dhe Stambolli transportonin në bagazhe afro 698 mijë cigare, ndërsa 2.32 milionë cigare të tjera u zbuluan në bagazhe të braktisura. Në aeroportin “Maqedonia” u sekuestruan mbi 443 mijë cigare.
Operacionet çuan gjithashtu në konfiskimin e 31,013 produkteve të falsifikuara, mes tyre veshje, këpucë, çanta, ora, syze dielli dhe artikuj të tjerë me marka të njohura. Në pikën kufitare të Kipit u sekuestruan mbi 22 mijë artikuj të falsifikuar, ndërsa në aeroportin e Athinës u bllokuan 6,709 produkte të dërguara me pako postare nga Egjipti dhe Kina.
Bilanci i sekuestrimeve përfshin gjithashtu 528 armë të paligjshme, 347 litra pije alkoolike, 500 telefona celularë, bizhuteri ari me peshë rreth 2 kilogramë, lëndë narkotike, pesticide të ndaluara, dy papagaj ekzotikë dhe madje një pjesë të një trungu të fosilizuar nga Pylli i Fosilizuar i Lesbosit, me një vlerë të vlerësuar mbi 7 mijë euro.
Sipas AADE-së, kontrollet do të vijojnë me intensitet edhe në muajt në vijim, me synimin për të goditur kontrabandën, trafikimin e paligjshëm dhe evazionin doganor në të gjitha pikat kufitare të Greqisë.
Po ndodh...
ide
Fundi i iluzionit të diplomacisë
Poliçani është vetëm fillimi i shpërthimit të krizës
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128