Na ishte një herë!/ Kur Elsa Lila i jep zë një Epoke!
Nga Ermal Peçi
Shqipëria nuk ka shumë artistë që kanë arritur të kapërcejnë kufijtë e vendit, të ngjiten në skena prestigjioze ndërkombëtare dhe të bëjnë krenarë shqiptarët përmes artit të tyre. Elsa Lila është një prej tyre. Një artiste që ka kënduar në skenën e famshme të Sanremos dhe ka dëshmuar se muzika e bukur nuk njeh kufij.
Me zërin e saj, Elsa ka bërë për vete publikun shqiptar, italian dhe më gjerë. Kudo ku ka kënduar, ka marrë me vete diçka nga shpirti shqiptar, duke u kthyer natyrshëm në një ambasadore të kulturës sonë. Por ajo që e bën të veçantë nuk është vetëm zëri. Është mënyra si e jeton këngën, si i jep kuptim çdo fjale dhe si arrin t’i bëjë dëgjuesit të gjejnë brenda saj emocionet e tyre.
Mbrëmjen e së shtunës, më 7 nëntor, në orën 19:00, skena e Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor do të mirëpresë Elsa Lilën në koncertin “Na ishte një herë…”, një udhëtim nëpër meloditë që kanë shoqëruar jetën e disa brezave shqiptarësh.
Vetë titulli të kthen në një kohë kur këngët nuk kishin nevojë për miliona klikime që të bëheshin të paharrueshme. Ato hynin në shtëpitë tona përmes radios dhe televizionit, dëgjoheshin në festivalet që prisnim me padurim dhe këndoheshin në familje. Na shoqëronin në gëzime, në dashuritë e para, në ndarje e në mall. Edhe sot, mjaftojnë disa nota për të na kthyer te një njeri, një vend apo një çast që koha nuk e ka fshirë.
Prandaj “Na ishte një herë…” nuk është thjesht një koncert nostalgjik. Është një rikthim te një pjesë e jetës sonë, te muzika që na ka rritur dhe që, pa e kuptuar, është bërë pjesë e identitetit tonë kulturor.
Ka diçka veçanërisht të bukur që pikërisht Elsa Lila i rikthehet këtij repertori. Ajo ka ndjeshmërinë për t’u dhënë këngëve një jetë të re, pa ua humbur shpirtin e dikurshëm. Sepse këngët e vjetra nuk janë vetëm melodi: ato tregojnë si kemi dashuruar, si kemi jetuar dhe si i kemi shprehur ndjenjat tona.
Në një kohë kur industria muzikore dominohet shpesh nga klikimet, tendencat kalimtare dhe fama e shpejtë, artistë si Elsa na kujtojnë se vlera e muzikës nuk matet vetëm me shifra. Ka këngë që pushtojnë ekranet për disa javë dhe harrohen; të tjera jetojnë për dekada, sepse kanë prekur diçka të vërtetë brenda nesh.
Dhe kjo është bukuria e këtij koncerti: breza të ndryshëm do të ndajnë të njëjtat melodi, edhe pse secili mbart kujtime të ndryshme. Për dikë një këngë do të jetë rinia e vet, për dikë tjetër zëri i prindërve apo i gjyshërve. Për më të rinjtë, mund të jetë takimi i parë me një pasuri muzikore që meriton të trashëgohet.
Nga skenat shqiptare te Sanremo, Elsa Lila ka ndërtuar një histori artistike që nuk përmblidhet vetëm me çmime e duartrokitje. Ajo ka ruajtur lidhjen me publikun duke i qëndruar besnike mënyrës së saj të të kënduarit.
Nesër, kur të ngrihet perdja, gjithçka mund të nisë me tri fjalë:
“Na ishte një herë…”
Një herë një këngë. Një herë një kujtim. Një herë një jetë dhe një zë që vazhdon t’u japë jetë të gjithave.
Po ndodh...
Berisha, “Kali i Trojës” i Ramës për shqiptarët që nuk e duan
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
