Ndezi zjarr pranë banesës, por flakët u përhapën në malin e Krujës, arrestohet autori

8 August 2026, 22:51 / AKTUALITET ALFA PRESS
Ndezi zjarr pranë banesës, por flakët u përhapën

Nga veprimet hetimore dyshohet se 73-vjeçari ka ndezur zjarr pranë banesës së tij për të djegur një sasi bari. Për shkak të erës së fortë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur drejt malit të Krujës, duke rrezikuar edhe zonat e banuara.

“Në vijim të veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të zjarrit të rënë në lagjen “Abaze”, Krujë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë arrestuan në flagrancë autorin e dyshuar, shtetasin Q. B., 73 vjeç, banues në lagjen “Abaze”, Krujë.

Ky shtetas dyshohet se, më datë 08.08.2026, në afërsi të banesës së tij, ka ndezur zjarr për djegien e një sasie bari, por flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe, për shkak të erës, janë përhapur në drejtim të malit të Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara.

Shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me strukturat e emergjencave, kanë marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodheshin në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.

Falë angazhimit të forcave në terren, vijon operacioni për shuarjen e zjarrit, ku po ndërhyhet me forca tokësore dhe me mbështetje nga ajri, me qëllim izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara.”– njofton policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Po ndodh...