“Në PD duhet ndryshim, të hapemi ndaj të rinjve”/ Igli Cara: Për Tiranën na duhet një kandidat përbashkues, nuk kanë rëndësi emrat! Jemi në një epokë të re politike

14 November 2026, 18:55 / POLITIKË ALFA PRESS
“Në PD duhet ndryshim, të hapemi ndaj të rinjve”/

I ftuar në studion e News24, deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, ka komentuar zhvillimet politike dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale, duke u ndalur veçanërisht te diskutimet për kandidaturën e opozitës për Bashkinë e Tiranës.

Cara u shpreh se opozitës i duhet një figurë e distancuar nga mënyra aktuale e të bërit politikë, e cila të mund të përfaqësojë të gjithë qytetarët dhe jo thjesht të jetë rezultat i një marrëveshjeje mes emrave politikë.

“Me rëndësi është të jetë qëllimi i shqiptarëve për të bërë ndryshimin. Nuk e shoh si bashkim emrash, por do konsensus që të pranosh që të arrish qëllimin e madh. Shqipëria ndoshta është në një moment tepër të vështirë. Duhet të pranojmë faktin që jemi në një epokë të re politike. Pas 36 vitesh duhet reflektuar fort në atë që shohim”, u shpreh Cara.

Ai vlerësoi gatishmërinë e Partisë Demokratike për të lënë hapësirë për kandidatura të tjera, duke e konsideruar këtë një hap drejt konsensusit opozitar.

 

“PD është e gatshme të ulet, tregoi që është e gatshme të lëshojë kandidatë, ky është një hap pozitiv. Nëse do shkojmë mbi këto shina do kemi rezultat. Na duhet një person që është i distancuar nga kjo lloj politikëbërjeje. Për mua duhet të jetë kandidati i të gjithëve, kandidati i qytetarëve”, deklaroi ai.

Duke folur për situatën brenda Partisë Demokratike, Cara theksoi nevojën për ndryshime dhe përshtatje me zhvillimet e reja politike dhe shoqërore.

Sipas tij, PD duhet të gjejë mënyra të reja komunikimi, veçanërisht me të rinjtë, ndërsa debatet e brendshme duhet të shërbejnë për të shpjeguar dallimet dhe alternativën që ofron partia.

“Në PD duhet të ketë ndryshim. Duhet t’i përshtatemi ndryshimeve që kanë ndodhur, duhet ta dimë se si t’u qasemi të rinjve. Dhe debatet duhet të jenë ushqim i mirë që rinia dhe qytetarët të kuptojnë se ku ndryshojmë ne”, u shpreh ai.

Më tej Cara tha se nuk e imagjinon Partinë Demokratike të garojë e vetme në zgjedhjet lokale, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit opozitar për Tiranën.

“Nuk e imagjinoj dot që PD të jetë e vetme në zgjedhje, sepse nuk është e thjeshtë. Ndaj thashë që duhet të jemi bashkë për Tiranën”, përfundoi Cara.

 

Po ndodh...