Plas në Spanjë, Reali kërkon nga UEFA t’ia marrë Barcelonës titujt 2001-2018

1 October 2026, 17:32 / SPORT ALFA PRESS

Real Madridi ka kërkuar nga UEFA që Barcelonës t’i hiqen titujt e fituar gjatë periudhës 2001-2018, në kuadër të çështjes “Negreira”, raporton Diario AS.

UEFA ka rihapur zyrtarisht hetimin për rastin dhe tashmë po shqyrton dokumentacionin e dorëzuar nga klubi madrilen. Sipas AS, në dosjen e Real Madridit kërkohet edhe marrja e masave ndaj Barcelonës për titujt e fituar gjatë periudhës që është objekt i hetimit.

Çështja lidhet me rreth 8.4 milionë euro që Barcelona i ka paguar kompanive të lidhura me Jose Maria Enriquez Negreiran, ish-zëvendëspresidentin e Komitetit Teknik të Arbitrave në Spanjë, gjatë viteve 2001-2018.

Real Madridi i ka dorëzuar UEFA-s një dosje të gjerë me dokumente dhe prova, ndërsa organi evropian ka konfirmuar se i ka pranuar materialet dhe ka vijuar me procedurën hetimore. UEFA pritet të mbledhë prova të tjera dhe më pas t’i japë Barcelonës mundësinë për të paraqitur qëndrimin e saj.

Në qendër të hetimit është pyetja nëse pagesat ndaj Negreiras kishin për qëllim të ndikonin në sistemin e arbitrimit apo në rezultatet e ndeshjeve. Barcelona ka mohuar se pagesat kishin për qëllim ndikimin te arbitrat dhe ka argumentuar se ato lidhen me raporte dhe këshillime teknike për arbitrimin.

Real Madridi ka kërkuar gjithashtu që UEFA të marrë masa disiplinore ndaj Barcelonës. Sipas raportimeve të AS, nëse organet e UEFA-s arrijnë në përfundimin se ka pasur përpjekje për të ndikuar në rezultatet e ndeshjeve, rregulloret e UEFA-s parashikojnë edhe mundësinë e përjashtimit të klubit nga garat evropiane për një sezon.

Megjithatë, deri tani nuk është marrë asnjë vendim për sanksione ndaj Barcelonës. Hetimi është ende në zhvillim dhe UEFA duhet të shqyrtojë provat e paraqitura, si dhe përgjigjen e klubit katalanas.

Po ndodh...

ide