“Do u bënte presion”/ Braho nxjerr “bombën” në Këshillin e Sigurisë: Vlora Hyseni përgjoi familjarët e 2 prokurorëve që po hetonin Gys Agasin

1 October 2026, 18:14 / POLITIKË ALFA PRESS

"Vlora Hyseni përgjoi familjarët e 2 prokurorëve që po

90 minutat e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku kryeministri Edi Rama dhe kreu i SPAK, Klodian Braho, qëndruan në të njëjtën sallë, duket se kanë qenë më të tensionuara nga sa u pasqyrua në deklaratën zyrtare të Presidencës.

Mbledhja u zhvillua të hënën me kërkesë të kryeministrit Rama, pas zhvillimeve të fundit që lidhen me Shërbimin Informativ të Shtetit dhe masën e sigurisë ndaj drejtueses së SHISH, Vlora Hysenit. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho.

Sipas burimeve, Rama ka ngritur edhe gjatë mbledhjes shqetësimet që kishte shprehur publikisht më herët, lidhur me mënyrën e trajtimit të Hysenit dhe kërkesën për vendosjen e saj në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Por, sipas të njëjtave burime, kreu i SPAK ka këmbëngulur se masa e sigurisë ndaj Hysenit ishte e nevojshme, për shkak të dyshimeve për përfshirjen e saj në veprimtarinë e një grupi kriminal të drejtuar, sipas hetimeve, nga biznesmeni Ergys Agasi.

Një tjetër pretendim i fortë, që është bërë nga Braho gjatë mbledhjes, lidhet me aktivitetin e SHISH. Kreu i SPAK raportohet të ketë deklaruar para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit Kombëtar se shërbimi sekret kishte kryer përgjime të paligjshme ndaj familjarëve të dy prokurorëve të SPAK që po hetojnë dosjen e abuzimeve në AKSHI, ku është përfshirë edhe emri i biznesmenit Ergys Agasi.

Sipas këtij pretendimi, përgjimet dyshohet se kishin si qëllim ushtrimin e presionit ndaj prokurorëve që po merren me hetimin e kësaj dosjeje.

Deklarata, sipas burimeve, ka shkaktuar reagim te të pranishmit në mbledhje, duke nxjerrë në pah përplasjet dhe akuzat e rënda që lidhen me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë.

Detajet e diskutuara në mbledhjen me dyer të mbyllura nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga institucionet. Presidenca, në deklaratën pas mbledhjes, nuk ka bërë publike diskutimet konkrete mes Ramës dhe Brahos apo pretendimet e ngritura gjatë takimit./lapsi

Po ndodh...

ide