Në oborrin e pushtetit, inceneratorë dhe e vërteta që nuk thonë për Bashën
Nga Ermal Peçi
Në Shqipëri po ndodh një fenomen mjaft i çuditshëm. Hajdutët dhe të korruptuarit e qeverisë Rama, të cilët janë në kërkim nga SPAK dhe fshihen si minj nëpër vendet e Europës për t’i shpëtuar ekstradimit dhe përballjes me drejtësinë, kanë filluar të paraqiten si heronjtë që do të shpëtojnë shtetin shqiptar nga degradimi që po ata vetë i shkaktuan.
Është një nga ato paradokse që vetëm politika shqiptare di t’i prodhojë: ata që duhet të japin llogari përpara drejtësisë kërkojnë të marrin rolin e gjykatësit përpara opinionit publik. Në një vend ku kujtesa politike është e shkurtër, shpesh mjafton të ndërrosh skenën që xhelati të shfaqet si viktimë dhe i akuzuari si predikues i moralit.
Pavarësisht se janë në kërkim nga SPAK, këta përfshihen në lojën makbethiane që ka ngritur sistemi Rama-Berisha. Në oborrin e pushtetit, Arben Ahmetaj ka qenë një nga njerëzit kryesorë të inceneratorëve, së bashku me ish-pjesëtarin e bandës së Aldo Bares, Mirel Mërtirin.
Duket se, për të larguar vëmendjen nga ajo që po ndodh në Shqipëri me goditjet e SPAK ndaj qeverisë Rama, por edhe nga ajo që pritet të ndodhë në kampin e Berishës, kërkohet të bëhet përsëri pis Lulzim Basha për dosjen e inceneratorëve.
E kam thënë shpeshherë: Sa herë Pushteti i Thashethemeve Rama-Berisha bëhet bashkë, kërkon me çdo kusht ta bëjë sa më shumë pis Lulzim Bashën me gjysmë të vërteta, apo mashtrime që vijnë nga propaganda e tyre mediatike.
Rama e Berisha, së bashku me propagandën e tyre, përdorin një skemë shumë komuniste: Hidh baltë e vrer, se diçka do të mbetet. Se kur baltën e hedh çdo ditë, qëllimi nuk është më të provosh fajin e kundërshtarit, por të krijosh dyshimin se askush nuk është i pastër.
Pikërisht për të çmontuar këtë mekanizëm sovjetik duhet të kthehemi te faktet. Për të rikujtuar historinë e inceneratorëve, duhet të kthehemi disa vite pas dhe të kuptojmë se sot Ahmetaj është në arrati, së bashku me Mërtirin, vetëm falë vullnetit të Lulzim Bashës për të ngritur atë komision të inceneratorëve, ku kryeministri Rama u kap gafil me shprehjen e tij se si i hidhte firmat dhe ku na doli se inceneratorë s’kishte, por lekët e shqiptarëve u përlanë.
Një skemë e mirëfilltë mafioze, ku të gjitha fijet të çonin tek Edi Rama. Por le t’ia kujtojmë çdo njeriu se çfarë ka bërë Lulzim Basha për të goditur aferën e inceneratorëve, Ramën, bashkë me Ahmetajn e Mërtirin, që ndanin të njëjtën zyrë në Tiranë.
Se, përtej asaj që thuhet sot, është koha ajo që i vendos përballë njëra-tjetrës propagandën dhe faktet. Prandaj këtu koha merr një kuptim tjetër. Abraham Lincoln thoshte: “Mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit për një pjesë të kohës dhe disa njerëz gjatë gjithë kohës, por nuk mund t’i mashtrosh të gjithë njerëzit gjatë gjithë kohës.”
Në politikën shqiptare mund të ndërtohet për vite me radhë një perceptim për një njeri, por vjen një moment kur perceptimi duhet të përballet me faktet. Pikërisht këtu duhet parë sot edhe Lulzim Basha: Jo vetëm përmes karikaturës politike që kundërshtarët e tij ndërtuan për të, por përmes asaj që ka bërë dhe asaj që ka mbetur e dokumentuar.
Lulzim Basha e ka denoncuar me emër e mbiemër mbi 180 herë Mirel Mërtirin, madje edhe atëherë kur e mbylli gojën edhe Sali Berisha, edhe media e tij, Syri.
Lulzim Basha ngriti komisionin hetimor dhe loboi me amerikanët për të zgjatur afatet dhe për të detyruar të vinin të gjithë, përfshirë edhe Ramën, në komision.
Ishte Sali Berisha që bashkoi votat me Ramën kundër raportit të komisionit. Ishte po ashtu Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij që nuk votuan pro raportit të komisionit për aferën e inceneratorëve në mars të vitit 2022.
Raporti përfundimtar i PD-së, të drejtuar nga Basha, i cili akuzonte qeverinë për një aferë qindra milionë eurosh, u rrëzua me 84 vota kundër dhe mori vetëm 27 vota pro, nga deputetët që asokohe mbështesnin Bashën.
Prandaj, këtu mbarojnë interpretimet dhe fillojnë dokumentet. Fjalët mund të mohohen, deklaratat mund të interpretohen, por vota e hedhur, denoncimi i bërë dhe komisioni i ngritur mbeten aty.
Prandaj pikërisht këtu qëndron ironia më e madhe për Lulzim Bashën. Njeriu që për vite e akuzuan se flinte, sot po i lë pa gjumë. Disa prej kundërshtarëve të tij janë përballë drejtësisë dhe pas hekurave, ndersa të tjerë druhen se ai mund t’u rimarrë partinë.
Në fund, politika nuk matet vetëm me zhurmën që bën, por me gjurmën që lë. Ata mund ta kenë fituar betejën e propagandës kundër Bashës, por koha mund t’i ketë rezervuar atij një tjetër fitore: betejën me të vërtetën. Sepse ndonjëherë ironia e historisë është e pamëshirshme: njeriun që e akuzuan se flinte, sot e kanë makthin e tyre politik.
Po ndodh...
ide
Dashuri në kohën e kolerës, në shtetin e Ramës!
Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128