Shkolla pa mësues, universitete pa para/ Kriza që shoqëron Francën drejt zgjedhjeve
FRANCË – Një valë protestash po përhapet në Francë, ku nxënës dhe studentë kanë nisur pushtime dhe bojkotime të shkollave dhe universiteteve, duke kundërshtuar mungesën e mësuesve, shkurtimet buxhetore dhe kushtet e dobëta në institucionet arsimore.
Mobilizimi nisi më 21 shtator në një shkollë të mesme në Créteil, ku nxënësit protestuan për vendet vakante të mësuesve. Brenda pak ditësh, protestat u përhapën në shkolla të tjera, ndërsa tashmë lëvizja ka mbërritur edhe në universitete.
Nxënësit denoncojnë klasa me deri në 35 persona, orë mësimi që anulohen për shkak të mungesës së zëvendësuesve, probleme me ndërtesat dhe pajisje që nuk funksionojnë. Në zonat periferike të Parisit, ata shprehen gjithashtu se përballen me kushte më të vështira krahasuar me bashkëmoshatarët në qendër të kryeqytetit.
Debati është përqendruar edhe te financimi. Në vitin 2024, 683 milionë euro u hoqën nga buxheti kombëtar i arsimit. Për vitin 2026, megjithëse buxheti u rrit me rreth 200 milionë euro, u parashikua heqja e 4,018 pozicioneve të përhershme të mësuesve. Ndërkohë, rreth 7,900 pozicione të reja lidhen kryesisht me mësues në programe trajnimi dhe jo me të njëjtin numër mësuesish të përhershëm.
Qeveria ka njoftuar një rritje të buxhetit të arsimit me të paktën 800 milionë euro për vitin 2027, por shpërndarja përfundimtare e fondeve do të përcaktohet gjatë debatit parlamentar për buxhetin.
Protestat e sotme kanë një precedent të fortë. Në vitin 2024, mësues, prindër dhe nxënës në Seine-Saint-Denis u mobilizuan për javë të tëra kundër mungesës së stafit, kushteve të dobëta dhe pabarazive mes shkollave. Ata kërkuan një plan emergjent prej 358 milionë eurosh dhe mijëra vende të reja pune.
Pakënaqësia u zhvendos më pas edhe në arsimin e lartë. Në vitin 2025, buxheti për arsimin e lartë dhe kërkimin u ul me rreth 1 miliard euro krahasuar me vitin 2024, ndërsa studentët protestuan në dhjetëra universitete. Sipas raportimeve të Le Parisien, rreth 30 universitete janë përfshirë në mobilizimin e ri përmes bojkotimeve.
Në sfondin e protestave qëndron edhe situata e financave publike franceze. Borxhi publik ka arritur në rreth 3.6 trilionë euro, ose afërsisht 119% të PBB-së. Shpenzimet për interesat e borxhit parashikohet të rriten nga rreth 79 miliardë euro në vitin 2026 në 91 miliardë euro në vitin 2027.
Qeveria synon të ulë deficitin në 5% të PBB-së deri në vitin 2027, çka do të kërkojë masa të tjera kursimi dhe vendime të vështira për shpenzimet publike.
Debati për arsimin po shndërrohet kështu në një nga sfidat e rëndësishme sociale dhe financiare për Francën përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027. Ndërsa qeveria përballet me presionin për të kufizuar deficitin dhe borxhin, nxënësit dhe studentët kërkojnë një zgjidhje konkrete dhe të menjëhershme: mësues në klasa dhe shkolla që të mund të funksionojnë normalisht.
Po ndodh...
ide
Dashuri në kohën e kolerës, në shtetin e Ramës!
Edi Rama po e keqpërdor Kosovën si lavatriçe për hallet e tij
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128