Bashkimi mekanik në PD/ Çfarë ndodhi sot mes grupimeve Berisha-Bardhi

12 Shkurt 2024, 21:42 / POLITIKË ALFA PRESS

Bashkimi mekanik në PD/ Çfarë ndodhi sot mes grupimeve
Për herë të parë pas dy vitesh, dy grupimet më të mëdha të Partisë Demokratike u ulën bashkë në selinë blu.

Pa përfshirë Lulzim Bashën që ka rreth vetes vetëm një grusht deputetësh, dy pjesët e mëdha të PD-së formalisht janë bashkuar në selinë e demokratëve.

Së pari, grupi parlamentar u mblodh në selinë blu, ku deputetëve të Rithemelimit iu bashkua grupimi me rreth 20 deputetë i Gazment Bardhit. Së dyti u mblodh Këshilli Kombëtar i PD-së, ku Gazment Bardhi dhe mbështetësit të tij u ulën si spektatorë. Këto takime prodhuan një plan verpimi. Të gjithë deputetët do të dalin në terren për të organizuar protestën e 20 shkurtit.

Bashkimi nisi në orën 15:00 me mbledhjen e grupit të bashkuar parlamentar në selinë blu. Mbledhja u drejtua nga Gazment Bardhi, Flamur Noka dhe Ervin Salianji.

Ajo u mbajt me dyer të mbyllura dhe zgjati rreth një orë. Pika kryesore e diskutimit mësohet të ketë qenë protesta e thirrur në 20 shkurt. Bardhi si kryetar i grupit parlamentar u kërkoi deputetëve të organizohen në zonat ku janë zgjedhur për të mobilizuar sa më shumë qytetarë.

Menjëherë pas mbledhjes së grupit parlamentar, Gazment Bardhi u shpreh për mediat se kishte rreth një vit që punohej për një bashkim të tillë mes demokratëve, duke nënvizuar se kjo është rruga e vetme për rikthimin e shpresës tek qytetarët.

Bashkimi është forcë dhe jo dobësi. Bashkimi është rruga e vetme për një mëndje racionale. Partia Demokratike me aktin e bashkimit, pas një udhëtimi në errësirë, i kthen dritën vetes dhe duhet ti kthejë shpresën shqiptarëve. Me këtë motiv, ne do të jemi në çdo cep të Shqipërisë për t’i dhënë shpresë të rinjve, burrave dhe grave që duan të ndërtojnë këtu një të ardhme për vete dhe për familjet e tyre.  Jo më përçarje! Jo më konflikt! Ne do të punojmë së bashku për të shndërruar opozitën e sotme në qeverisjen e neserme. Mbi këtë parim duhet të ndërtohet cdo marrëdhënie dhe duhet të jetë i mirëpritur cilido. Të flasim mbi ide, mbi parime, jo mbi individë”- u shpreh Bardhi.

Bashkëdrejtuesi i mbledhjes së grupit parlamentar, Ervin Salianji zgjodhi të mos përmendë konfliktin dhe përçarjen.

Demokratët e kanë dhënë verdiktin, duan bashkim! Shqipëria ka nevojë për opozitë të fortë e cila pa bashkim është e dobët. Bashkimi është hapi i parë për çdo transformim e zmadhim të opozitës! Tashmë detyra jonë është të forcojmë verdiktin e demokratëve dhe nevojë e shqiptarëve. Këtë detyrë po bëjme sot, asgjë më shumë. Vendimet e mëtejshme nuk janë vetëm rezistenca por veprimi me gjithë fuqinë tonë ndaj rrezikut serioz që i kanoset vendit nga korrupsioni dhe sundimi i Ramës!”- shkruan Salianji.

Më konkretisht u fol në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Aty timonin e morën grupi i Rithemelimit, Flamur Noka, Oerd Bylykbashi dhe Luçiano Boçi.

Grupi i Gazment Bardhit ishte ulur si spektator.

Debatet në këtë mbledhje nuk munguan, edhe pse kuptohej se kush kishte pozicionin e forcës nga mënyra si ishin ulur deputetët. Institucioni drejtues i zgjedhur ekskluzivisht mes berishistëve u respektua, edhe pse si lider PD-je, Gaz Bardhi e ka ende të vështirë ta përtypë emrin e Sali Berishës.

Stafetën i pari e mori Eduart Paloka, i cili i kujtoi të pranishmëve se lideri i opozitës ishte në “arrest shtëpie” dhe këtë të fundit e citoi disa herë, si për ti kujtuar vëllezërve-armiq se partia ka akoma prijës Sali Berishën.

Forcën në radhë të parë duhet ta tregojmë me pjesëmarrjen. 20 shkurti është aty, kur të jemi me dhjetëra mijëra në shesh, siç e ka thënë edhe Berisha, e ka thënë edhe publikisht që: popullin një herë e drejton, dhe një herë të drejton.” –tha Paloka një moment.

“Tani që Sali Berisha, është në kushtet që është, na takon të bëjmë 10 herë më shumë ne të tjerëve dhe jo të ulim kokën.” – tentoi të frymëzojë Paloka në një moment tjetër.

Flamur Noka e mori të mirëqenë se “bashkimi ka dhënë mesazh tek demokratët”, ndërsa u përball me skepticizëm.

Mbledhja vetëm një pikë: Aksioni PD dhe protesta e 20 shkurtit. Kemi një shembull referimi kur punojmë bashkë dhe organizohemi siç është protesta e 7 korrikut. Të përcjellim mesazhet edhe në rrjete sociale. Tani puna kapilare pas mbledhjes së strukturave. Bashkimi ka dhënë mesazh tek demokratët. Kemi vetëm 8 ditë para protestës. Me të gjithë deputetët takime në qendrat e degëve”, tha Noka,

Por deputeti i zëshëm Myslym Murrizi shtroi një pyetje me vend: “Me 20 mirë, është protesta, por me 21 çdo bëjmë?” 

Dhe pikëpyetjeve u munduan ti jepen përgjigje. Pasi foli për një “bashkim me dashuri”, Bujar Leskaj propozoi ndoshta planin më konkret për riorganizimin e strukturave të PD-së. Për Gazment Bardhin, Leksaj mendon se i takon numri “2” i partisë, pa garë.

Sa i perket organizimit, deputetët me të cilët jemi bashkuar t’u krijohen kushtet që në mbledhjen më të afërt të Këshillit Kombëtar të kooptohen në kryesi, një pjesë e tyre, mbasi të votohen në Këshill Kombëtar me kandidatura alternative nga vetë ata. Ndërsa Gazment Bardhi, të marre postin e nënkryetar të partisë, automatikisht pa votim. Kjo në bazë edhe të statutit, pa hequr asnjë nga nënkryetarët aktualë”, u shpreh Leskaj.

Kishte dhe nga ata që kishin merakun e pjesëmarrjes së Sali Berishës në protestë.

“Unë mendoj se z. Sali Berisha duhet të jetë online në protesten që do te zhvillohet me 20 shkurt.” – u shpreh Tritan Shehu, i cili gjeti mbështetje nga Luan Baçi.

“Edhe une jam me idene që të gjendet një formë që Sali Berisha, si kreu i Partisë Demokratike që po mbahet padrejtësisht në arrest shtepie, të ketë një fjalë përpara protestuesve me anë të teknologjisë.” 

Nuk dihet se ç’do të ndodhë me Berishën në protestë, por Dhurata Çupi mendon ndryshe nga dy kolegët.

“Uroj në mirëkuptimin tuaj. Por nëse nuk mund ta ndihmojmë z. Berisha, të paktën mos ia rëndojmë poziten juridike.” – u shpreh Dhurata Çupi.

Informacionet që vijnë nga dy mbledhjet në selinë blu janë të shumta. Dhe kësaj radhe duket se ka një frymë reale bashkëpunimi mes kampeve Berisha-Bardhi.

Por, ndasinë më të madhe mes këtyre faktorëve e ilustron më së miri përgjigja e Gazment Bardhit për pyetjen: “A e njeh Berishën kryetar të PD?”, pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar.

Bardhi nuk surprizoi. “Unë njoh vetëm vullnetin e demokratëve” – një shmangie e deputetit më shumë se një përgjigje për pyetjen që përcakton ekzaktësisht thelbin e ndarjes së dy grupimeve më të mëdha të opozitës.

Patatja e nxehtë “Berisha” është ajo që Gazment Bardhi dhe ndjekësit e tij nuk duan ta mbajnë në dorë.  Njohja e Sali Berishës është problemi nga i cili derivon çdo mosdakordësi midis palëve. Rrjedhimisht grupimi i Bardhit nuk e konsideron “non gratën” e sekrarit amerikan të shtetit, Antony Blinken, produkt të një lobimi korruptiv të Edi Ramës. Nuk guxojnë ti thonë të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë kur vjen puna për veprimtarinë e SPAK-ut. Në thelb, të gjitha ato teza që ithtarët e Sali Berishës i bëjnë jehonë, sa poshtë ballkonit të liderit të arrestuar, aq edhe nëpër studio televizive.

Megjithatë kjo nuk e pengoi Sali Berishën, i cili nga dritarja e shtëpisë nga ku flet çdo pasdite, e quajti bërje realitet dëshirën e 700 mijë shqiptarëve që votuan PD-në zgjedhjet e fundit.

Ka lot në sytë e demokratëve, por ato janë dhe do jenë lot gëzimi, sepse opozita është e bashkuar. Të dashur miq, në historinë e PD-së, opozitës shqiptare, por edhe Shqipërisë dhe kombit, për aq sa PD, forca kryesore opozitare e vendit është sot shpresë e vetme e shqiptarëve, sot pas një betejë të përbashkët 1-vjeçare, por edhe pas përplasjeve dhe kundërshtive hera herë edhe të forta, 43 deputetë të PD, të koalicionit opozitar, u mblodhën së bashku në drejtimin e kryetarit të grupit parlamentar në selinë e partisë dhe bënë realitet dëshirën e rreth 700 mijë shqiptarëve që votuan më 25 prill për PD-në dhe koalicionin e saj.” – u shpreh Berisha.

Parë me skepticizmin e një njeriu të rregjur me lajle-lujlet e një partie të përçarë nga thundra e pushtetit të Ramës, bashkimi i sotëm sipërfaqësor i deputetëve demokratë prodhon së paku dy pyetje. A do lëshojë Rithemelimi ndaj disitentëve të Berishës? A do e njohin deputetët e Bardhit Sali Berishën?

Në mungesë të një platforme politike që do ta zbuste hendekun e madh mes grupeve në Partinë Demokratike, produkti i bashkimit mekanik të deputetëve demokratë sot, është akoma një gjëegjëzë për tu zgjidhur./LAPSI.AL 

 

Po ndodh...