Ekskluzive/ Skandali në ambasadën shqiptare në Berlin, ky është shtetasi rus i punësuar si "këshilltar"

5 Mars 2026, 18:26 / POLITIKË ALFA PRESS

Ekskluzive/ Skandali në ambasadën shqiptare në Berlin, ky

Ambasada shqiptare në Berlin është përfshirë në një nga skandalet më të mëdha korruptive dhe diplomatike.
Prokuroria ka sekuestruar rregjistrimet nga kamerat në ambasadën shqiptare në Berlin. Aktualisht, serveri ndodhet në zyrën e oficerit të policisë, Ismen Muçmata.
Policia gjyqësore po verifikon dy muaj rregjistrime në ambasadë dhe lëvizjet e ambasadores shqiptare me këshilltarin e saj rus. Policia federale gjermane është informuar për veprat penale që po kryhen në ambasadën shqiptare në Berlin.

Burime të Alfapress.al nga Prokuroria e Tiranës pohuan se më datë 08.08.2025 është regjistruar procedimi penal me “numër protokolli 6025” ndaj ambasadores Adia Sakiqi dhe shtetasit rus Walter Borisoviç. Redaksia jonë ka siguruar foto të këshilltarit rus Walter Borisoviç.

Në ambasadën e Shqipërisë në Gjermani, mësohet se po hetohet nga Prokuroria për tre vepra penale: “Shpërdorimi i detyrës” – Neni 248, “Falsifikimi i dokumenteve zyrtare” – Neni 186, dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” – Neni 245.
Hetimi ka nisur nga denoncimi i bërë nga dy diplomatë, të cilët ruajnë identitetin konfidencial, si dhe nga zyrtarë të rëndësishëm të shtetit gjerman.
Çuditërisht, nga 69 prokurorë, dosja po hetohet nga prokurori Bledar Valnikaj, bashkëshort i ish-nënkryetares së Kuvendit Ermonela Felaj.

Dy muaj më parë, prokurori i SPAK, Adnand Xholi, i ka dërguar për kopetencë me shkrim Prokurorisë Tiranë që çështja duhet hetuar me urgjencë. Prokurorët e çështjes, pasi janë njohur me kallëzimet e disa personave dhe me faktet përkatëse, kanë kryer hetime paraprake duke marrë në pyetje disa dëshmitarë dhe pjesë të personelit të ambasadës. Si hakmarrje dhe presion, ambasadorja ka ndikuar në shkarkimin e dy diplomatëve që kishin dëshmi kundër saj.

Abuzimet e ambasadores Aida Sakiqi janë denoncuar nga disa zyrtarë të përfaqësisë diplomatike. Bëhet fjalë për disa dokumente të klasifikuara dhe të falsifikuara, si dhe për abuzime në menaxhimin e fondeve të ambasadës. Prokurorët kanë konstatuar shpërdorime jo vetëm me financat, dokumentet, tenderët dhe fondet, por edhe në emërimin e personelit.

Gjatë hetimit është konstatuar se janë shkelur rregullat e sigurisë kombëtare në emërimin e stafit, duke punësuar persona me shtetësi ruse, bullgare dhe holandeze.
Shtetasi rus quhet Walter Borisoviç, ndërsa shtetasja bullgare Biljana Naumov.
Është dashur ndërhyrja e SHISH-it dhe e shërbimit sekret gjerman për largimin urgjent të shtetasit rus Walter Borisoviç, të emëruar nga ambasadorja shqiptare. Prezenca e diplomatit rus u vu re nga shërbimet e huaja, kur ai po priste së bashku me stafin e ambasadës në aeroportin e Berlinit kryeministrin Edi Rama.

Burime nga ambasada shqiptare në Berlin konfirmojnë për Alfapress.al, se policia federale gjermane po bën verifikimet për shkeljet dhe abuzimet në ambasadë. Ky skandal diplomatik vjen në një kohë kur marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Shqipërisë janë më të tensionuara se kurrë. Kryeministri Rama shkarkoi ministren e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali, sepse ajo u rreshtua pro qëndrimit të kolegut gjerman për lëshimin e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballkut. Ndërkohë, emërimi i ambasadores Aida Sakiqi erdhi pas shkarkimit të ambasadorit Artur Kuko, i shkaktuar nga një incident me Presidentin Bajram Begaj./Alfapress.al

Po ndodh...