Ibrahimaj: Banka e Zhvillimit, ndihmë për shpërndarjen e fondeve të BE-së

17 Mars 2025, 13:34 / POLITIKË ALFA PRESS

Ibrahimaj: Banka e Zhvillimit, ndihmë për shpërndarjen e fondeve

Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj tha se, “Banka Shqiptare e Zhvillimit do të jetë një mekanizëm i qëndrueshëm për financimin e sektorëve strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit”.

Duke marrë fjalën në seancën plenare të Kuvendit gjatë diskutimit të pr/ligjit “Për Bankën Shqiptare të Zhvillimit”,  Ibrahimaj tha se, ekonomia shqiptare tashmë ka hyrë në një fazë të rritjes pozitive në të gjithë treguesit e saj financiar.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur në 25 miliardë euro në vitin 2024.

Të ardhurat për frymë janë trefishuar nga 3 324 euro në 10 334 euro dhe rritja ekonomike shënon 3,4% duke lënë vijueshmëri për trend në rritje në të ardhmen.

Tregu i punës ka njohur përmirësime të ndjeshme sa i takon uljes së papunësisë dhe rritjes së punësimit.

Rritja e pagave ka qenë një tjetër faktor që ka ndikuar pozitivisht në ekonomi dhe në të ardhurat e popullsisë, ndërsa paga minimale ka kaluar nga 157 euro në 400 euro, borxhi publik është reduktuar nga 70,4% në 54,7% duke lehtësuar barrën fiskale dhe duke kursyer 300 milionë euro në vit në buxhetin e shtetit.

Gjithashtu eksportet janë 3-fishuar në një dekadë duke arritur në 9 miliardë euro në 2024.

Investimet publike kanë luajtur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë duke variuar nga 5,1 në 7,8% të PBB.

Ndërsa totali i depozitave ka arritur në 1.36 trilionë lekë”, tha Ibrahimaj.

Ajo theksoi se “krijimi i një institucioni të tillë mund të ndihmojë në përthithjen dhe shpërndarjen efektive të fondeve të BE, duke siguruar që investimet të drejtohen në projekte me rritje afatgjatë”.

“Sot jemi përpara një momenti historik në anëtarësimin në BE dhe do të ketë fonde në dispozicion dhe duhet të ketë institucione që të kenë aftësinë që t’i përthithin këto fonde”, u shpreh ministrja.

Ibrahimaj theksoi se, qëllimi kryesor i kësaj banke është të nxisë zhvillimi ekonomik të vendit përmes lehtësimit të qasjes në financë të sektorëve të nën financuar duke mbështetur zhvillimin e infrastrukturës, eksportet dhe projektet strategjike për ekonominë.

“Struktura kapitale është projektuar për të siguruar qëndrueshmëri afatgjatë.

Shteti do të zotërojë minimalisht 51 për qind të aksioneve duke ruajtur kontrollin publik ndërsa institucionet financiare ndërkombëtare dhe vendase mund të kontribuojnë në kapital.

Banka do të sigurojë financime përmes financimeve përmes bashkëpunimeve si Banka Evropiane e Zhvillimit apo vendeve anëtare”, tha Ibrahimaj.

 

Po ndodh...

shërbime

  • POLICIA129
  • POLICIA RRUGORE126
  • URGJENCA112
  • ZJARRFIKESJA128