“PS-PD i janë turrur SPAK”, Shehi: Drejtësia e re ka turbulluar ujin, duhet të shkojnë te paratë

24 Shkurt 2025, 22:28 / POLITIKË ALFA PRESS

“PS-PD i janë turrur SPAK”, Shehi: Drejtësia e re ka

Kreu i LZHK-së Dashamir Shehi akuzoi dy partitë e mëdha për sulmet ndaj Strukturës së Posaçme. Në studion e Ditarit me Erion Dushin në A2 CNN, Shehu deklaroi se dy partitë e mëdha duan të trembin prokurorët e SPAK, por kjo sipas tij nuk ka për të ndodhur. Ai thekson se kushdo që ka bërë korrupsion e vjedhje duhet të paguajë, ndërsa u sugjeron që të shkojnë te paraja për t'u bërë të padëmshëm për shoqërinë.

“Na vjen shumë keq që dy partitë e mëdha i janë turrur me egërsi SPAK se ata që bëjnë këtë luftë njerëz të gjallë janë ata dhe këta duan t’i trembin. Falë zotit deri tani nuk janë tremb. Ka nja dy vjet që kanë turbulluar ujërat e Shqipërisë. Ata që ishin sipër mendonin që nuk do u hynte kurrë gjë më këmbë dhe të bënin çfarë të donin dhe kanë bërë çfarë kanë dashur. Prandaj janë në rrjetën e SPAK-ut se edhe po të duan nuk i mbyllin dot kaq shumë zullume. Ne presim një normalitet drejtësie ai që ka tepruar me hajdutllëkun të paguajë. Unë do bëja sugjerim t’i marrim paratë se ky shou popullor po deshën ta bllokojnë krimin e korrupsionin duhet të shkojnë të paratë, atëherë do t’i bëjnë të padëmshëm për shoqërinë se ata që kanë para blejnë media gjykatës. Po t’i merrnin paratë do të ishte më i plotësuar ne i kemi mbështetur e do të vazhdojmë t’i mbështesim”.

Pasi zyrtarizoi koalicionin me partinë “Djathtas 1912” të Enkelejd Alibeajt, Shehi sqaroi në A2 CNN se përse duhen votuar.

“Ne do ta bëjmë me listë të hapur që nënkupton kontributin e shumë njerëzve. Për listën e hapur kemi shkuar deri në Gjykatën Kushtetuese dhe do ishte tradhti nëse do të përfundonim me listë të mbyllur. Do të bëjmë maksimumin që na lejon ky ligj i keq, për të cilin bëmë luftë për muaj me radhë që fatkeqësisht e humbën kolegët e PD, bënë marrëveshje me PS duke parë interesat e veta dhe jo të opozitës. Sot nëse do të kishim lista të hapura opozita do të mobilizonte 140 vetë dhe fitorja do të ishte e sigurt. Ata kolegët e tjerë do prodhojnë një karrige për vete se politikë nuk prodhojnë. Ky është momenti që pas kaq vitesh nëse nuk mobilizohen brenda opozitës edhe forca të tjera është shumë e ngushtë rruga drejt fitores. Kjo rrugë që kemi zgjedhur do të mobilizojë elektoratin gri të pakënaqurit brenda PD e PS. Nuk e kemi menduar për  para unë i drejtohem qytetarëve, që të votojnë ca njerëz të ndershëm, po të jetë për para ka humb gjithë Shqipëria. Ka mbetur një pjesë e mirë e shqiptarëve. Politikë do bëjmë”.

 

Po ndodh...