Tërhiqet nga lista e PD- së për qarkun Shkodër Gloria Shllaku, ja cila është arsyeja e saj

15 Mars 2025, 20:34 / POLITIKË ALFA PRESS

Tërhiqet nga lista e PD- së për qarkun Shkodër Gloria

Si kandidate e koalicionit AShM, deklaroj tërheqjen nga lista e hapur në Qarkun e Shkodrës, por jo nga gara për zgjedhjet e 11 majit. Ajo është gara e të gjithë demokratëve, pavarësisht nëse janë në listë ose jo.

Reagimi:

Duke falenderuar të gjithë mbështetësit, degën e Partisë Demokratike në Shkodër, drejtuesin politik z. Boçi, dhe demokratët shkodranë, e marr këtë hap me besimin se synimi nuk është akomodimi privat, por fitorja e përbashkët.

Asnjë pakënaqësi apo hatërmbetje në këtë rast, por një vendim sovran, i marrë prej meje për t’i lënë vendin një demokrati tjetër, Aurel Markajt, dhe në këtë mënyrë për të maksimalizuar votat, rritur kohezionin dhe mundësuar rotacionin politik në Shqipëri.

Ky është një vendim që merr parasysh konfigurimin e zonave të qarkut tone, dhe mendoj se Aureli do të siguronte një përpjestim më të mirë të kandidatëve në listën e Shkodrës. Territori gjeografik kërkon përqafësim politik, mbështetur edhe te origjina, aktiviteti dhe lidhjet.

I uroj suksese Aurelit, dhe ai, bashkë me kandidatët e tjerë të Aleancës për Shqipërinë Madhështore, do të ketë mbështetjen time të pakursyer.

Për Shkodrën Madhështore, për Shqipërinë e përbashkët!