VËZHGIM/ "Perëndimi" i Diellës, edhe pse ka gëlltitur qindra milionë euro

8 Shkurt 2026, 14:01 / POLITIKË ALFA PRESS
VËZHGIM/ "Perëndimi" i Diellës, edhe pse ka

Si ambicia e qeverisë për digjitalizimin e administratës publike dhe kalimin e të gjitha shërbimeve online, që së fundmi u personifikua ministrja e parë online në botë, e pagëzuar me emrin “Diella”, nuk po arrin të krijojë një sistem të qëndrueshëm dhe të besueshëm për biznesin, pavarësisht se ka gëlltitur qindra miliona euro. Si u bllokua aktiviteti i bizneseve për të paktën tre javë dhe askush nuk mbajti përgjegjësi dhe madje as informoi. Realiteti po tregon një shtet që ka investuar shumë për t’u dukur digjital, por jo aq sa duhet për të qenë realisht funksional.

Në mes të dhjetorit, për dy ditë, bizneset u përballën me probleme në përdorimin e platformës SelfCare nëpërmjet së cilës kryejnë veprimet administrative online, e cila sërish menaxhohet përmes e-Albania. “Unë kam tre kontrolle tatimore, më kërkojnë faturat e blerjeve dhe të shitjeve të ditës së sotme dhe nuk arrij të nxjerr blerjet.

Madje nuk punojnë as programet e shitjeve”, pohoi në atë kohë N. Sadiku, kontabiliste. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e kontaktuar nga “Monitor”, pohoi se në atë kohë sistemi funksiononte normalisht.

I njëjti problem u përsërit dhe në ditët e fundit të dhjetorit, duke bllokuar aktivitetin e subjekteve në fundjavën para vitit të ri, teksa administrata publike “shijonte” pushimet e zgjatura.

Në janar të këtij viti, subjektet sërish u përballën me bllokim të aktivitetit, po në platformën e SelfCare, që është një mjet thelbësor për funksionimin e sistemit fiskal dhe administrativ. Problemi zgjati për të paktën tre javë, duke paralizuar pothuajse tërësisht aktivitetin e subjekteve, duke bërë të pamundura shumë shërbime.

Për kontabilistin Sotiraq Dhamo, mosfunksionimi i sistemit SelfCare bllokoi punën për shumë biznese, përfshirë personat fizikë që mund të lëshojnë fatura të fiskalizuara, mosfiskalizim të deklaratave doganore në afat për importuesit, në certifikatën elektronike nuk mund të bëhen ndryshime të adresës, nëse është dhënë gabim.

“Normalisht, SelfCare është baza kryesore për rakordimet. Edhe tani, gjatë përgatitjes së Planit Financiar vjetor 2025, duhet të kryhen disa rakordime me SelfCare, prandaj është e nevojshme të kesh akses në platformë”.

Të vetëpunësuarit e vetëm përdorin sistemin SelfCare për fiskalizimin e faturave, pasi ky shërbim u ofrohet atyre pa pagesë, ndryshe nga bizneset e tjera që janë të detyruara të marrin shërbimin e kompanive private të programeve fiskale.

Sipas INSTAT, në vend ka rreth 40 mijë biznese të vetëpunësuar, ose rreth 30% e totalit, por nuk ka të dhëna se sa prej tyre janë të vetëpunësuar të vetëm. Aktiviteti i këtyre të fundit u bllokua tërësisht për shkak të mosfunksionimit të programit SelfCare, duke rrezikuar marrjen e të ardhurave mujore, për shkak të moslëshimit të faturave.

Ndërprerja e shërbimeve po ndodh shpesh, megjithëse investimet për qeverisjen digjitale janë shtuar me ritme të shpejta në 6 vitet e fundit.

Në vitin 2025, financimi për e-qeverisjen u rrit me tre herë brenda vitit, duke arritur në 20.1 miliardë lekë (mbi 200 milionë euro), nga rreth 3.3 miliardë lekë që jepeshin në vitin 2019, në një total prej 48.4 miliardë lekësh në 4 vjet, ose gati 500 milionë euro. Po në dekadën e fundit, administrata është shtuar me 20 mijë persona, për të arritur në 184 mijë punonjës, por sërish bizneset nuk arrijnë të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre!

“e-Albania është portali qeveritar ku shërbimet publike që gjenden në zyrat dhe sportelet fizike të institucioneve ofrohen në mënyrë elektronike falë Platformës Qeveritare të Ndërveprimit që ndërlidh sistemet e institucioneve me njëri-tjetrin.

Portali është konceptuar si një zyrë elektronike me një ndalesë, ku qytetari regjistrohet duke përdorur kartën e tij të identitetit dhe shërbehet duke kërkuar dhe duke aplikuar për shërbimin që i nevojitet”, thuhet në faqen e e-Albania.

Por, realiteti po tregon se këto shërbime, në vend të lehtësojnë bizneset dhe qytetarët, po kthehen në makth për ta.

Pas dy javësh bllokimi të pandërprerë, shoqatat e biznesit kërkuan reagim nga institucionet dhe zgjidhje të problematikës. Aleanca e Profesionistëve të Lirë (APL), që përfaqëson anëtarë në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, iu është drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) me një shkresë në lidhje me problematikat e përsëritura në sistemin e fiskalizimit, të cilat po sjellin bllokime serioze në aktivitetin ekonomik dhe rrisin rrezikun e penaliteteve ndaj bizneseve për shkaqe që nuk burojnë nga subjektet tatimpaguese.

Sipas APL-së, bllokimet sollën pasoja të drejtpërdrejta në Ndërprerje të punës dhe vonesa në faturim dhe arkëtime; Rritje të riskut të gabimeve dhe mospërputhje në dokumentacion; Kosto shtesë operative (kohë, staf, suport teknik, humbje klientësh); Ekspozim ndaj gjobave dhe penaliteteve për afate që bizneset nuk i kontrollojnë; Dëmtim të besimit te procesi dhe te formalizimi i tregut me fiskalizimin.

APL kërkoi zgjidhje, udhëzim dhe garanci që bizneset të mos mbajnë kosto dhe përgjegjësi për një problem jashtë kontrollit të tyre.

Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë ishte më e ashpër. “Ajo që nisi si një premtim për modernizim dhe lehtësi përmes platformës ‘SelfCare’, sot është shndërruar në një barrierë të pakalueshme që po mbyt frymëmarrjen e bizneseve dhe po çon drejt rraskapitjes profesionistët e kontabilitetit”, tha Shoqata.

Shoqata e Kontabilistëve dhe Financierëve të Shqipërisë ka ngritur zërin duke kërkuar jo vetëm njohjen e kësaj situate si forcë madhore, por mbi të gjitha, transparencë. Biznesi nuk mund të operojë me shpresën se sistemi “ndoshta” do të kthehet nesër.

Kur dështimi shitet si sukses

Ndryshe nga shoqatat e bizneset që reaguan dhe kërkuan transparencë e bashkëpunim, për tre javë institucionet përkatëse heshtën, duke mos i sqaruar bizneset për situatën e krijuar dhe pa dhënë asnjë informacion se çfarë po ndodhte e kur mund të zgjidhej problemi. Përkundrazi, në linjë me përqasjen e qeverisë, që njeh vetëm sukseset, përgjigjet ishin shumë evazive.

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, tha së fundmi se “sistemet tona janë nga më të avancuarat dhe ne jemi në zhvillim të vazhdueshëm të tyre, madje duke përfshirë edhe Inteligjencën Artificiale.

Sigurisht që gjatë punës sonë, ka momente që sistemet krijojnë probleme, kjo ndodh kudo dhe ato adresohen nga strukturat e IT-së me përgjegjësi maksimale për të ndihmuar bizneset në punën e tyre.

Kur ndodhin këto problematika, bizneset kanë mundësi, që të dhënat që nuk janë në gjendje t’i raportojnë në sistemin e fiskalizimit, t’i mbledhin dhe t’i raportojnë në një kohë të dytë”.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, u shpreh në Kuvend se shërbimet digjitale të Shqipërisë janë vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare.

“Ne jemi të tetët në Europë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale.

Ne jemi të 17-ët në botë për sa i përket ofrimit të shërbimeve digjitale. Veprat janë vepra, faktet janë fakte. Sistemet e ndërtuara u kanë ardhur në ndihmë të gjithë qytetarëve shqiptarë që jetojnë në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë, sistemet e ngritura për ofrimin e shërbimeve të bizneseve kanë reduktuar kohë dhe para”, tha Ibrahimaj.

Edhe pas njoftimit zyrtar se sistemi u bë funnksional, bizneset sërish hasën probleme në aksesinimin e tij. Tatimet u detyruan të shtynin dorëzimin e inventarit nga 31 janari në 20 shkurt.

Mediat e huaja “kryqëzojnë” Diellën

Ashtu siç tërhoqi vëmendjen në botë në shtator 2025, risia e një ministreje të Inteligjencës Artificiale në Shqipëri, mediat ndërkombëtare nuk e kursyen “Diellën”, kur shumë shpejt u bë e qartë që nuk po e arrinte misionin për të cilin u reklamua me të madhe: Të ishte një simbol i transparencës, reformës digjitale dhe luftës ndaj korrupsionit.

Gazeta e njohur amerikane, New Your Times shkroi pak ditë më parë: “Një raport i nëntorit nga zyrtarët e BE-së tha se Shqipëria kishte “treguar disa përparime”, por se “korrupsioni mbeti i përhapur në sektorë vulnerabël.”

Ai vlerësoi një njësi të posaçme prokurorie të krijuar në vitin 2019 për “rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë”. Kjo përfshin një hetim në Agjencinë Kombëtare të Informacionit, vetë organizatën qeveritare që krijoi Diellën.

Muajin e kaluar, prokurorët në një njësi speciale hetimore njoftuan se kishin vendosur drejtoreshën e agjencisë dhe zëvendësen e saj në arrest shtëpie, duke i lidhur me një organizatë kriminale të akuzuar për manipulimin e aplikimeve për kontrata përmes intimidimit. Agjencia operon infrastrukturën digjitale të qeverisë, duke ushtruar kontroll mbi një gamë të gjerë sistemesh publike online, përfshirë Diellën”.

Në revistën e Brown University, thuhet ndër të tjera se “më 11 shtator 2025, Kryeministri Edi Rama e emëroi zyrtarisht Diellën në një rol të ri – ministre e Inteligjencës Artificiale. Ngritja e saj në detyrë e bën Diellën përgjegjëse për procesin e prokurimit publik prej miliarda dollarësh në Shqipëri, në të cilin qeveria e Shqipërisë blen mallra dhe shërbime nga sektori privat. Përdorimi i Diellës si një masë antikorrupsion nga Rama është reklamuar si një risi revolucionare.

Në fund të fundit, Diella është sistemi i parë i Inteligjencës Artificiale që shërben në kabinetin e një vendi. Megjithatë, ndërsa qëllimi i deklaruar i Diellës është të fitojë favorin e BE-së duke eliminuar korrupsionin dhe duke avancuar rolin e teknologjisë në qeveri, emërimi i saj vepron më shumë si një mjet propagande për administratën e Ramës.

Ndërsa prania parlamentare e Diellës përhapet me njoftimin e fëmijëve të saj, Rama rrezikon të krijojë një entitet politik të pakontrolluar që mund të ndikojë në politikat qeveritare.

Mungesa e mbikëqyrjes së Diellës, varësia nga firmat amerikane të teknologjisë dhe lidhjet jodemokratike me Partinë Socialiste të Ramës kërcënojnë në vend të kësaj të komprometojnë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në BE dhe të rrezikojnë zhvillimin demokratik afatgjatë të vendit”.

Çfarë nuk po funksionon me sistemet online

Ndërprerja e vazhdueshme e funksioneve të e-Albania gjatë muajve të fundit ka ngritur çështjen se çfarë nuk funksionon. Sipas konsultimeve me ekspertët, një kombinim faktorësh problematikë, nga zvarritja e tenderit të fiskalizimit, te përdorimi i zgjidhjeve open-source pa kontroll teknik nga AKSHI dhe dorëheqjet masive të teknikëve pas fillimit të hetimeve të SPAK ka çuar në problematikat e shumta me të cilat po hap sistemi.

Në mes të dhjetorit të vitit të kaluar, tenderi për mirëmbajtjen e sistemit të fiskalizimit për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, me autoritet kontraktor Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), me fond limit 7.7 milionë euro, ka përfunduar sërish i ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik, vetëm dhjetë ditë nga heqja e pezullimit.

Teksa më herët KPP mori këtë masë për t’i hapur rrugë vijimit të procesit pas konstatimit se ishin bërë korrigjimet e nevojshme në dokumentet e tenderit, tashmë një tjetër operator vlerëson se këto ndryshime nuk janë të plota duke lënë hapësira për interpretim.

Një inxhinier që ka punuar në sistemet digjitale qeveritare thotë se, kur u mor vendimi për modernizimin e platformës, arkitektura u zhvendos drejt modelit “microservices”, por pa përdorur kompani apo produkte të certifikuara sipas standardeve ndërkombëtare.

(Platforma është ndërtuar mbi një numër të madh shërbimesh të ndara nga njëri-tjetri: identiteti, pagesat, licencat, bizneset, dokumentet dhe komunikimi me tatimet funksionojnë si aplikacione të veçanta, secili me bazën e vet të të dhënave dhe me infrastrukturë të pavarur.

Këto module ndërveprojnë përmes GG (Government Gateway), duke krijuar një arkitekturë të fragmentuar dhe të ndjeshme ndaj gabimeve.

Sipas inxhinierit, një qasje e tillë kërkon standarde shumë të forta, ekipe që njohin gjithë hartën e sistemit, testime të vazhdueshme të ndërvarësive dhe mekanizma që garantojnë që, edhe nëse bie një modul, pjesa tjetër e shërbimeve të vijojë të funksionojë normalisht.

Në realitet, mirëmbajtja kryhet nga kontraktorë të ndryshëm dhe nënkontraktorë të shumtë: një kompani menaxhon identitetin, një tjetër pagesat, një tjetër regjistrin e biznesit dhe një tjetër ndërfaqen e e-Albania-s.

Kjo krijon atë që teknikisht quhet “rrjet varësish”. Për shembull, kur një biznes kërkon një shërbim, sistemi duhet të verifikojë radhazi identitetin, regjistrin e biznesit, detyrimet tatimore, pagesat dhe arkivin e dokumenteve.

Nëse ndalon së funksionuari edhe një prej këtyre shërbimeve, e gjithë kërkesa dështon dhe përdoruesi sheh mesazhin standard: “e-Albania nuk punon”, edhe pse problemi mund të jetë vetëm në një komponent të caktuar.

Inxhinieri tha se sistemi SelfCare nuk është aplikacion i pavarur. Kur një biznes hyn për të bërë një veprim, sistemi duhet të verifikojë kush je, çfarë subjekti ke, çfarë detyrimesh tatimore ke dhe nëse ke të drejtë të kryesh atë shërbim.

Nëse njëra nga këto hallka nuk përgjigjet, e gjithë rruga e transaksionit bllokohet.

Agjencia Kombëtare e Informacionit mban më këmbë të gjithë shtetin digjital shqiptar. Serverët, databazat dhe aplikacionet mbahen nën vëzhgim të vazhdueshëm për ngarkesën, shpejtësinë dhe gabimet. Nëse një modul fillon të vonojë apo të mos përgjigjet, sistemi i brendshëm sinjalizon dhe teknikët duhet të ndërhyjnë përpara se problemi të shfaqet te qytetarët. Ajo që po ndodh këto ditë me bllokimin e shërbimeve është se teknikët kanë hequr dorë.

Në pjesën më të madhe, këta teknikë ishin nënkontraktuar për mirëmbajtjen e sistemeve për shuma shumë të vogla nga kompanitë që kishin fituar tenderat për mirëmbajtjen. Hetimet kanë zbuluar se tendera që kanë kushtuar miliona euro janë mbuluar me kosto 200 apo 300 mijë euro.

Për shkak të hetimeve tani teknikët e nënkontraktorët nuk po ndërhyjnë në sisteme. Teknikët duhet të identifikojnë se ku është defekti, ta izolojnë dhe ta rikthejnë shërbimin sa më shpejt. Pas kësaj, analizohet se pse ndodhi dhe çfarë duhet ndryshuar që të mos përsëritet. Nëse sistemi do të ishte ndërtuar mirë, ndërprerjet e shërbimit do të ishin shumë të shkurtra shpjegoi inxhinieri.

Ai tha se, me kalimin e viteve, janë ndërtuar dhjetëra sisteme të ndryshme, me standarde të dobëta. Problemi përkeqësohet nga fakti që mirëmbajtja e këtyre shërbimeve nuk është plotësisht në duart e shtetit. Një pjesë e madhe e kodit dhe konfigurimeve ndodhet te kontraktorë dhe nënkontraktorë, të cilët ose kanë kontrata të paqarta, ose janë në një klimë frike dhe pasigurie ligjore./Monitor

Po ndodh...

ide