Rekord lagështie! Gushti shënon nivelin më të lartë të avujve të ujit në atmosferë

Atmosfera e Tokës përmbajti gjatë gushtit sasinë më të lartë të avujve të ujit të regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave të Copernicus.
Rekordi i ri lidhet me temperaturat e larta, ndërsa lagështia shtesë mund të forcojë stuhitë dhe reshjet ekstreme. Shkencëtarët e lidhin prirjen afatgjatë me ngrohjen globale dhe emetimet e gazeve serrë.
Më shumë nxehtësi, më shumë lagështi dhe një tjetër rekord klimatik. Atmosfera e Tokës përmbajti gjatë gushtit sasinë më të lartë të avujve të ujit të regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave të Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike të programit evropian Copernicus.
Sasia e avujve të ujit arriti në 27.35 kilogramë për metër katror, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të korrikut 2024 me 0.04 kilogramë për metër katror.
Edhe pse diferenca duket e vogël, shkencëtarët e përkthejnë atë në rreth 20 trilionë litra ujë shtesë në atmosferë.
Arsyeja kryesore lidhet me temperaturat e larta. Një atmosferë më e ngrohtë mund të mbajë më shumë lagështi. Sipas shkencëtarëve, për çdo një gradë Celsius ngrohje, ajri mund të mbajë rreth 7 për qind më shumë avuj uji.
Një rol në këtë rekord mendohet të ketë luajtur edhe El Nino, fenomeni klimatik në Oqeanin Paqësor, i cili ka ndikuar në temperaturat e larta të sipërfaqes së detit dhe në rritjen e avullimit.
Por më shumë lagështi në atmosferë do të thotë edhe më shumë energji për sistemet e motit.
Kur avujt e ujit kondensohen brenda reve, çlirohet nxehtësi, e cila mund të kontribuojë në forcimin e stuhive dhe reshjeve. Kjo rrit edhe rrezikun për reshje ekstreme dhe stuhi më të fuqishme në zona të ndryshme të botës.
Lagështia e lartë e bën gjithashtu më të vështirë për organizmin të përballojë valët e të nxehtit. Temperaturat e larta gjatë natës pengojnë ftohjen dhe rikuperimin e trupit.
Gushti ishte ndër muajt më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, sipas të dhënave të Copernicus, ndërsa NOAA e renditi atë si gushtin më të nxehtë në historinë e serisë së saj të matjeve, që nis në vitin 1850.
Shkencëtarët e lidhin prirjen afatgjatë me emetimet e gazeve serrë nga djegia e lëndëve djegëse fosile.
Po ndodh...
Hipokrizia e Ramës për të bërtitur: Marre!
ide
Tri krizat dhe tri zgjidhjet
Pafajësi për çlirimtarët, që të mos gjykohet historia!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128