Skandal në protestë/ Efektivi i ‘Shqiponjave’ godet me grusht në bark qytetarin e prangosur

14 September 2026, 13:11 / AKTUALITET ALFA PRESS

Disa protestues kanë bllokuar mëngjesin e sotëm nyjën e qarkullimit te Zogu i Zi, një prej akseve më të ngarkuara të Tiranës. Për shkak të tensioneve dhe trafikut të krijuar, Policia ka shoqëruar disa persona, të cilët kishin dalë për të protestuar që në orët e para të mëngjesit.

Por, një efektiv ‘kamikaz’ i forcave “Shqiponja” ka treguar një sjellje skandaloze teksa ka goditur me grusht në bark një prej protestuesve të cilin e kishin rrethuar dhe prangosur. Në një moment që qytetari nuk paraqiste asnjë lloj rrezikshmërie për askënd, është sulmuar nga polici barbar.

Drejtori i Përgjithshëm i policisë së Shtetit Skender Hita dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore duhet te marrin masa urgjente për të përjashtuar menjëherë nga rradhët e policisë efektivë barbarë që dhunojnë qytetarë të pafajshëm që janë me duar të lidhura.

Analisti Mentor Kikia pyet në një reagim në rrjete sociale se pse duhet ky grusht në stomak nga nje polic, ndaj një njeriu që në atë moment nuk përbën asnjë rrezik?

Ai thekson se nëse në Shqipëri do të kishte Avokat Populli, ai do të duhej t’ia zinte derën Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe të mos largohej derisa ky polic të dorëzonte atë jelekun që mban veshur dhe shkopin e gomës që i varet ne brez.

“PËRSE duhet ky grusht në stomak?

Një grup qytetarësh protestuan sot në mëngjes në Tiranë, në një kryqëzim nevralgjik për qytetin, si ai i Zogut të Zi.
Nuk e di motivin e protestës, por mesa lexova lidhet me kundërshitmin e vendosjes së kamerave inteligjente brenda shkollës.

E drejtë e qytetarëve të jenë kundër dhe të protestojnë!

Portesta ka shtuar më tej trafikun e rënduar në atë orë dhe policia ka ndërhyrë për të çliruar rrugën e bllokuar.

Detyrë e policisë të ndërhyjë, për të mos lejuar cënimin e rendit publik.
Plotësisht dakord!

Por:

Kjo video tregon një protestues të neutralizuar, me duart pas, nuk di të prangosura apo jo, por i neutralizuar nga të paktën 3 policë. Ndërsa një tjetër polic, e qëllon me grusht në stomak, pa asnjë arsye, as kundërshtim, as rrezik për tu larguar.

Ky njeri ka cënuar rendin publik. Ai është ndaluar tashmë dhe ndaj tij do te ndiqen procedurat ligjore.

Përse duhet ky grusht në stomak nga nje polic, ndaj një njeriu që në atë moment nuk përbën asnjë rrezik?

Nëse në këtë vend do të kishte Avokat Populli, ai do të duhej t’ia zinte derën Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe të mos largohej derisa ky polic të dorëzonte atë jelekun që mban veshur dhe shkopin e gomës që i varet ne brez.

Sepse ky nuk është polic!”- shkruan Mentor Kikia krahas videos.

 

Po ndodh...

ide