"U dha informacion i njëanshëm"/ Sulmohet televizioni pro Vuçiç, një tjetër media publike kërkon falje për propagandën

27 October 2026, 10:41 / BOTA ALFA PRESS

"U dha informacion i njëanshëm"/ Sulmohet televizioni pro

Pas rrëzimit të pushtetit të Aleksandër Vuçiç, protestues kanë mësyrë në zyrat e televizionit serb ‘pro Vuçiç’, në “Informer TV”. Protestuesit thyen dyert dhe arritën të futeshin brenda.

Në zyrën e tij qëndronte pronari i televizionit Dragan J. Vucicevic së bashku me disa gazetarë, teksa po telefononte policinë për të ndërhyrë sa më parë. Sipas mediave serbe, Vucicevic ka telefonuar dhe kreun e Listës Studentore që triumfoi në zgjedhje, i cili iu përgjigj se nuk i besonte asnjë fjalë pas gënjeshtrave që televizioni i tij ka thënë ndër vite.

Rreth 20 anëtarë të turmës hynë me forcë në studio, duke u përballur me Vucicevicin dhe stafin e tij për disa minuta përpara se ai të nxirrej jashtë nga bashkëpunëtorët e tij. Më pas në ambientet e televizionit ka mbërritur policia duke nxjerrë jashtë dhe protestuesit.

Tabloidi dhe televizioni “Informer TV” kanë bërë një numër të madh komentesh përçmuese për kundërshtarët e regjimit të Vuçiçit, përfshirë lëvizjen studentore që ata e quajtën Ustashe (emri i fashistëve kroatë të Luftës së Dytë Botërore që vranë mijëra serbë).

Ndërkohë “RTV Vojvodina” e nisi dje edicionin informativ me një kërkim falje për të gjithë teleshikuesit për vitet e raportimit të njëanshëm.

Pasi shfaqi pamje nga festimet në Novi Sad pas fitores së Listës së Studentëve në zgjedhjet parlamentare të së dielës, prezantuesi Goran Eror tha se transmetuesi publik nuk kishte arritur t’u tregonte shikuesve disa nga skenat e natës së kaluar.

“Për shumë vite, transmetuesi publik dështoi të përmbushte rolin e tij. Gjërat u mbajtën të heshtura, u dha informacion i njëanshëm dhe raportimi ishte i pakritikueshëm. Nuk u bënë pyetjet e duhura, ose nuk u bënë fare pyetje. U detyrohemi shikuesve një falje për këtë“, lexoi Eror nga një deklaratë.

Ai tha se disa punonjës të RTV-së kishin luftuar që gazetarët dhe redaktorët të punonin lirisht dhe në përputhje me etikën profesionale, duke shtuar se kjo luftë kishte ardhur shumë vonë, por mbeti e rëndësishme.

Po ndodh...