Zbarkon në Dhërmi super-agjenti i futbollit/ Jorge Mendes bëhet me dy vila në Rivierën shqiptare, kush është futbollisti që mund ta ketë shtëpinë e dytë?

17 August 2026, 22:24 / SPORT ALFA PRESS

Jorge Mendes, një prej emrave më të fuqishëm të futbollit botëror, ka zgjedhur Shqipërinë për një investim luksoz në bregdet. Super-agjenti portugez raportohet se ka blerë dy vila në kompleksin e ri “Red Sol Resort” në Dhërmi, një prej projekteve më të veçanta që po zhvillohen në rivierën shqiptare.

Mendes është fotografuar pranë projektit të Red Sol, resortit me arkitekturë spektakolare në ngjyrë të kuqe, i konceptuar nga studioja e njohur Bofill Taller de Arquitectura. Projekti në Dhërmi përfshin vila, apartamente dhe ambiente turistike të integruara në terrenin buzë detit. (Bofill Taller de Arquitectura)

Sipas informacionit të siguruar, njëra prej vilave do të jetë për vetë Jorge Mendes, ndërsa destinacioni i vilës së dytë mbetet më intrigues. Ajo dyshohet se mund të jetë blerë për një prej futbollistëve që menaxhohen nga super-agjenti portugez.

Dhe emrat që lidhen me Mendes janë ndër më të mëdhenjtë e futbollit botëror. Ai ka menaxhuar për vite me radhë Cristiano Ronaldon, ndërsa sot në portofolin e tij janë emra si Lamine Yamal, Vitinha, João Neves, Bradley Barcola dhe Rúben Dias, mes shumë yjeve të tjerë. 

Kjo ka ngritur edhe pyetjen: a mund të ketë një tjetër yll të futbollit botëror që së shpejti do ta ketë shtëpinë e tij në Shqipëri?

Për momentin, identiteti i personit që mund të përfitojë nga vila e dytë nuk është bërë publik. Megjithatë, nëse informacioni konfirmohet, investimi i Mendes do të ishte një tjetër sinjal se Riviera shqiptare po tërheq gjithnjë e më shumë emra të njohur ndërkombëtarë.

Red Sol Resort është një projekt i veçantë arkitektonik në Dhërmi, me struktura në tonalitete të kuqe, vila dhe ambiente të pozicionuara me pamje nga deti Jon. (Bofill Taller de Arquitectura)

Nëse vila e dytë është vërtet për një prej klientëve të tij, mbetet për t’u zbuluar se cili prej yjeve të futbollit do të bëhet me një “shtëpi në Shqipëri”.

Po ndodh...