12 në pranga pas vrasjes së turistit portugez në Ksamil, në kërkim pronari i “Principotes”/ Historia e Bekim Bulicës me drejtësinë
Policia e Shtetit ka prangosur deri më tani 12 persona lidhur me ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të marte ku i vdekur mbeti turisti portugez, Luis Varela.
Përpos autorit të kësaj ngjarje, 29 vjeçarit Sokrat Vata, në pranga ka përfunduar edhe Moisid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Nga hetimet e bëra deri më tani Matushaj, i cili po ashtu punonte me Vatën si bodyguard i kompanisë “Elite Security” në lokalin “Principote” e ka ndihmuar 29-vjeçarin që të largohej nga vendi i ngjarjes.
Po ashtu, në kërkim është shpallur dhe pronari i lokalit “Principotes”, Bekim Bulica. Bulica dyshohet se është pronari “në hije” i lokalit në Ksamil, ndërsa në dokumente pronare dhe administratore figuron nëna e tij, Kade Bulica.
Emri i Bekim Bulicës nuk është i panjohur për kronikën e zezë në vendin tonë, por jo vetëm. Përpara se emri i tij të lidhej me bizneset në Ksamil, Bulica ishte përballur me drejtësinë për një ngjarje të ndodhur në Kukës dhe në vitin 2021 u arrestua në Francë pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare.
Sipas njoftimit të Policisë të publikuar në atë kohë, Gjykata e Kukësit kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, në lidhje me një ngjarje të shtatorit 2019, ku ishte qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të një shtetasi me inicialet F. C. Bulica u kap në Francë dhe u ekstradua drejt Shqipërisë në shkurt të vitit 2021.
Por dosja e tij nuk do të mbyllej me kaq. Në gusht të vitit 2021, emri i Bekim Bulicës u përmend edhe në hetimet për një plan të dyshuar arratisjeje nga burgu “313” në Tiranë. Sipas raportimeve që janë bërë aso kohe. Bulica ishte një prej të dënuarve që po hetohej se kishte dijeni mbi planin e arratisjes së Arbër Çekajt dhe Fatmir Pjetrit.
Një tjetër episod ku emri i tij u shfaq në media lidhet me një ngjarje të dhunshme të vitit 2023 në Tiranë, ku policia njoftoi për një përplasje dhe dhunim të një efektivi policie dhe vëllait të tij. Në atë kohë, një prej personave të arrestuar ishte Blerim Bulica, ndërsa Bekim Bulica dhe persona të tjerë u shpallën në kërkim. Po ashtu emri i tij është lakuar gjerësisht më herët nga mediat franceze në lidhje me hetime për një rrjet shqiptar të dyshuar për trafik droge, pastrim parash dhe organizatë kriminale.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128