Trump mohon negociatat me Iranin: Nuk ka bisedime të planifikuara

18 August 2026, 17:59 / BOTA ALFA PRESS
Trump mohon negociatat me Iranin: Nuk ka bisedime të planifikuara

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të martën se nuk ka asnjë bisedim të zhvilluar apo të planifikuar me Iranin, vetëm një ditë pasi kishte thënë se administrata e tij kishte krijuar një kanal të fshehtë komunikimi me Gardën Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), forca ushtarake që i raporton drejtpërdrejt liderit suprem të vendit, shkruan CNN.

“Nuk ka asnjë bisedim apo komunikim që po zhvillohet, apo që është planifikuar, me Republikën Islamike të Iranit. Bllokada detare mbetet plotësisht në fuqi. Ngushtica e Hormuzit është e hapur dhe funksionale. Të gjitha minat detare janë hequr ose janë shpërthyer”, shkroi Trump në një postim në Truth Social.

Vetëm një ditë më parë, Trump kishte deklaruar se administrata e tij kishte krijuar një kanal të fshehtë komunikimi me IRGC-në. “Ata janë lojtarë të mirë pokeri, por po vdesin”, tha Trump për Fox News. Ai shtoi se nuk kishte përcaktuar një afat kohor dhe se “nuk ishte me nxitim”.

Nga ana tjetër, Garda Revolucionare Islamike e Iranit mohoi se po zhvilloheshin bisedime të fshehta me Shtetet e Bashkuara.

Deklaratat e së martës bien gjithashtu në kontrast të fortë me vlerësimin e bërë një ditë më parë nga i dërguari i posaçëm i SHBA-së, Jared Kushner, në një intervistë për Fox News.

“Do të thoja se bisedimet mes qeverisë amerikane dhe strukturave të ndryshme të qeverisë iraniane, në të gjitha nivelet, ndoshta janë më intensive se kurrë më parë”, deklaroi Kushner, duke shtuar se administrata Trump po zhvillon “bisedime shumë pozitive dhe aktive”.

Javën e kaluar, presidenti amerikan deklaroi se forcat amerikane kishin përfunduar operacionet për pastrimin e minave detare në këtë rrugë ujore, pretendim që e përsëriti edhe të martën.

Trump ka deklaruar gjithashtu në mënyrë të përsëritur se Ngushtica e Hormuzit është e hapur, pavarësisht se trafiku detar vijon të jetë i kufizuar dhe Irani pretendon të kundërtën.

Po ndodh...

ide