27 nëntori si pikë kthese për çështjen e UÇK-së/ Apeli mund të rihapë betejën mbi faktet, ligjin dhe dënimet

12 October 2026, 10:44 / KOSOVA ALFA PRESS
27 nëntori si pikë kthese për çështjen e

Beteja juridike për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin vijon edhe pas aktgjykimit të 16 shtatorit. Procesi tashmë po hyn në fazën e përgatitjes së apelimeve, ndërsa palët kanë afat deri më 27 nëntor për të njoftuar nëse do të kundërshtojnë vendimin e shkallës së parë. Dhomat e Specializuara kanë sqaruar procedurat që ndiqen në këtë fazë dhe kompetencat që ka Paneli i Apelit për shqyrtimin e çështjes.

Kanë kaluar më shumë se tri javë nga shpallja e aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërsa po afrohet afati i ri për njoftimin e apelimit.

Fillimisht, palët duhej të shprehnin qëndrimin e tyre deri në mesin e tetorit, por afati u shty deri më 27 nëntor pas një kërkese të paraqitur nga Mbrojtja. Kërkesa u argumentua me kompleksitetin e çështjes dhe faktin se ekipet mbrojtëse nuk e kishin marrë ende aktgjykimin të përkthyer në gjuhën shqipe.

Ndërkohë, sipas një përgjigjeje të Dhomave të Specializuara për RTK-në, deri tani nuk ka parashtresa publike që të tregojnë se ndonjëra prej palëve ka njoftuar zyrtarisht synimin për të apeluar vendimin apo ka përcaktuar pjesët e aktgjykimit që kërkon të kundërshtojë.

Procedura e apelimit nis zyrtarisht me dorëzimin e njoftimit për apelim. Në këtë fazë, palët mund të kundërshtojnë vendimin për arsye që lidhen me zbatimin e ligjit, vlerësimin e fakteve ose caktimin e dënimit.

Dhomat e Specializuara kanë sqaruar se Paneli i Apelit ka disa mundësi në shqyrtimin e çështjes. Ai mund ta lërë në fuqi aktgjykimin e shkallës së parë, ta rrëzojë ose ta ndryshojë atë. Në rrethana të caktuara, mund të vendosë edhe për rigjykimin e çështjes nga Trupi Gjykues.

Po ashtu, gjatë procedurës së apelimit, palët mund të kërkojnë paraqitjen e provave shtesë, duke shpjeguar se me cilat gjetje faktike të Trupit Gjykues lidhen ato.

Një element tjetër që mund të ndikojë në kohëzgjatjen e procesit është objekti i apelimit. Sipas gjykatës, nëse kundërshtimi lidhet vetëm me dënimin, procedura deri në marrjen e vendimit mund të jetë më e shkurtër.

Deri në përfundimin e afatit më 27 nëntor, palët duhet të përcaktojnë nëse do të kërkojnë rishikimin e aktgjykimit të shkallës së parë, duke hapur kështu fazën e radhës të betejës juridike për katër ish-krerët e UÇK-së.

Po ndodh...