A do t’i bashkohet PD protestës? Bardhi: Nuk na shqetësojnë thirrjet ‘Berisha në burg’!

1 October 2026, 22:23 / POLITIKË ALFA PRESS
A do t’i bashkohet PD protestës? Bardhi: Nuk na shqetësojnë

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka komentuar protestën kundër qeverisë, duke folur edhe për thirrjet e disa protestuesve kundër drejtuesve të opozitës.

Në një intervistë për “Prime News24”, Bardhi tha se këto qëndrime nuk përbëjnë shqetësim për PD-në, duke i konsideruar si reagime të një pjese të vogël të protestuesve.

I pyetur konkretisht për thirrjet “Gaz Bardhi në burg”, deputeti demokrat tha se nuk e shqetëson një qëndrim i tillë, duke theksuar se kushdo që pretendon se një person ka shkelur ligjin duhet t’u drejtohet institucioneve të drejtësisë.

“Unë nuk shoh asnjë problem që dikush mund të bërtasë edhe ‘Gaz Bardhi në burg’. E rëndësishme është që çdo qytetar, që ka një të dhënë se dikush ka shkelur ligjin, duhet t’i drejtohet organeve të drejtësisë”, u shpreh Bardhi.

Ai shtoi se nuk ka arsye të shqetësohet nga këto thirrje, pasi, sipas tij, nuk ka shkelur ligjin.

“E kam ndërgjegjen e pastër dhe nuk e kam shkelur ligjin”, deklaroi kreu i Grupit Parlamentar të PD-së.

Bardhi u pyet edhe nëse protesta dhe qëndrimet e shprehura aty e kanë delegjitimuar opozitën. Ai tha se nuk e sheh veten si një opozitar të delegjitimuar, duke argumentuar se një pjesë e madhe e problematikave të ngritura nga qytetarët janë çështje që opozita i ka denoncuar prej vitesh.

“Nuk ndjehem si opozitar i delegjitimuar, por ndjehem i vlerësuar që pjesa dërrmuese e kauzës që ngrenë qytetarët janë kauza që opozita i ka denoncuar prej 14 vitesh”, tha ai.

Sa i përket pjesëmarrjes së PD-së në protestë, Bardhi argumentoi se prania e strukturave politike nuk do t’i shërbente formatit të tubimit, pasi e konsideron atë një protestë qytetare.

Po ndodh...

ide