Atentati në Rrilë të Lezhës, 4 persona të shpallur në kërkim

2 Shkurt 2026, 21:25 / AKTUALITET ALFA PRESS

Atentati në Rrilë të Lezhës, 4 persona të shpallur

Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim katër persona në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e së dielës në fshatin Rrilë, ku një berberhane u qëllua me breshëri armësh zjarri dhe mbeti i plagosur rëndë pronari i saj, 30-vjeçari Sokol Daci.

Sipas hetimeve, shënjestër e atentatit nuk ishte berberi, por dy të rinj nga fisi Nikulaj, të cilët ndodheshin në ambientin e berberhanes në momentin e sulmit. Njëri prej tyre ishte Merando Nikulaj, 21 vjeç, nip i biznesmenit Ardian Nikulaj të vrarë në Shëngjin në vitin 2023. Në lokal dyshohet se ndodhej edhe djali i Ardian Nikulajt, por ende nuk dihet nëse policia ka arritur ta marrë në pyetje.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, kur drejt berberhanes u qëllua me breshëri kallashnikovi dhe pistolete nga rruga. Mbi 30 plumba u qëlluan në drejtim të lokalit, tre prej të cilëve plagosën pronarin e berberhanes. Ai ka marrë 5 plumba: dy në kraharor, dy në bark dhe një në këmbë, dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Traumës në Tiranë.

Policia dyshon se edhe Merando Nikulaj ka mbetur i plagosur, pasi në pamjet filmike shihet duke u larguar me vështirësi nga vendngjarja. Megjithatë, ai nuk është paraqitur në asnjë spital apo klinikë private dhe aktualisht nuk është lokalizuar.

Në berberhane ndodhej efektivi i  policisë, Besart Kovaçi, tashmë i arrestuar, i cili shoqëronte Merando Nikulajn. Ai ka qëlluar me armën e shërbimit ndaj autorëve të atentatit. Nga verifikimet rezulton se nga arma e tij janë qëlluar 10 plumba, nga 15 që kishte në armë,  në krehër kanë mbetur vetëm 5 fishekë.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në vijim të veprimeve u ekzekutua urdhri i ndalimit, i lëshuar nga Prokurori, për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë përfshirë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.”, njofton policia.

Brenda ambientit janë gjetur 16 gëzhoja pistolete, 10 që dyshohet se i përkasin armës së policit dhe 6 të një arme tjetër që ende nuk është identifikuar. Hetuesit dyshojnë edhe për përdorimin e një arme të tretë.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë fiksuar dy automjete tip “Audi” dhe “Passat”, nga të cilat kanë zbritur 7 persona, dy prej tyre të armatosur me kallashnikov. Pas sulmit, autorët janë larguar me shpejtësi nga zona, duke përdorur rrugë alternative për t’i shpëtuar ndjekjes.

 

Po ndodh...