Lufta e përgjakshme me djemtë e lagjes ‘Banesat’, episodi që themeloi bandën e Kateshit

26 Mars 2025, 22:13 / AKTUALITET ALFA PRESS

Lufta e përgjakshme me djemtë e lagjes ‘Banesat’, episodi

Elbasani, si e gjithë Shqipëria e vitit 1997, ishte në kaos, në çdo lagje, banorët kishin ngritur postblloqe, të armatosur deri në dhëmbë.

Ata e konsideronin këtë një përpjekje për të mbrojtur komunitetin e tyre nga bandat që lëviznin lirshëm në qytet. Shteti kishte humbur kontrollin.

Një nga këto postblloqe ishte ngritur në lagjen “Vullnetari”, pas ish-kinemasë me të njëjtin emër, pranë shkollës “Abdyl Myzyri”. Ishte një pikë kontrolli e improvizuar, por e domosdoshme. Në atë kohë, ky ishte mekanizmi i vetëm për të parandaluar hyrjen e elementëve të rrezikshëm.

Mbrëmjen e 21 majit, rreth orës 23:00, në postbllok shfaqen Dritan Kateshi, Taulant Balliu dhe Ndriçim Sadushi. Pasi makina u ndalua, ndodhi një përplasje verbale. Rojet e postbllokut refuzuan t’i linin të kalonin dhe të futeshin në lagje këta persona.

Ishte një vendim i prerë: lagjja nuk pranonte të huaj, aq më tepër në mes të natës. Pas disa minutash tensioni, makina u kthye mbrapsht. Por situata nuk përfundoi aty.

Vetëm pak metra larg, grupi i Tan Kateshit hapi zjarr në drejtim të postbllokut. Një breshëri kallashnikovi u shkreh drejt të rinjve që ruanin lagjen. Breshëria e plumbave i mori jetën Erion Derrajt dhe Gëzim Myftarit, të dy jo më shumë se 23 vjeç.

“Krimi i organizuar do ta gjente rrugëdaljen e tij, do të vazhdonte të vepronte. Kështu që u riformua në një tjetër dimension dhe, nga banda të armatosura, u kthye në grupe kriminale që filluan të zhvillonin aktivitetin duke pastruar produktet kriminale në veprimtari të ligjshme, çka mori në fakt edhe një tjetër formë organizimi”, u shpreh Saida Dollani, kryetare e Apelit të Gjykatës së Posaçme.

Lajmi u përhap shpejt. Brenda pak minutash, të gjithë djemtë e lagjes “Banesat” dolën në rrugë të armatosur. Ishte një vendim i menjëhershëm – nuk do ta linin këtë ngjarje të kalonte pa përgjigje. Ata u nisën në ndjekje të makinës që kishte qëlluar, duke shënuar fillimin e një përplasjeje që do të sillte formimin e të ashtuquajturës “Banda e Kateshit”.

Djemtë e lagjes “Vullnetari”, e njohur si “Banesat”, morën informacion për vendndodhjen e Tan Kateshit dhe shokëve të tij, të cilët ishin strehuar në banesën e këtij të fundit. Grupi i të rinjve të armatosur u drejtua për te pallati ku jetonte Tan Kateshi. Ndërtesa ndodhej pranë Pyjores, vetëm 100 metra larg komisariatit të policisë.

“Fillimisht, krimi është i thjeshtë, në atë që në zhargon njihet si krim rruge. Nuk dallohet për një formë të veçantë të bashkëpunimit; është një bashkëpunim i thjeshtë që zakonisht lidhet aty për aty”, u shpreh Kreshnik Myftari, pedagog i Drejtësisë.

Top Channel