BE-ja i përgjigjet Albin Kurtit dhe Edi Ramës për vendimin e Hagës: Tregoni përmbajtje!

18 September 2026, 18:36 / POLITIKË ALFA PRESS
BE-ja i përgjigjet Albin Kurtit dhe Edi Ramës për vendimin e

Bashkimi Evropian i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, në lidhje me reagimet e tyre për dënimin ndaj drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku kreu i qeverisë së Kosovës e cilësoi vendimin si padrejtësi, ndërsa Rama si “marre”.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Christian Wigand, tha se Dhomat e Specializuara japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura.

“Shikoni, ajo që mund të them për këtë çështje është se Bashkimi Evropian merr shënim aktgjykimin e shkallës së parë në çështjen e Prokurorisë së Specializuar kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Dhomat e Specializuara të Kosovës japin drejtësi duke zhvilluar procedura gjyqësore të drejta, të paanshme dhe të pavarura, të bazuara në parimin e përgjegjësisë individuale penale.

Personat e dënuar, natyrisht, kanë të drejtë të apelojnë aktgjykimin para gjyqtarëve të pavarur të apelit, në një trup gjykues të veçantë të shkallës së apelit. BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve dhe aktorëve në Kosovë dhe në rajon që të tregojnë përmbajtje”, tha Wigand

Po ashtu, ai u shpreh se mbetet thelbësore të promovohet një mjedis i lirë nga frika dhe hakmarrjet si dhe të mbrohen viktimat dhe dëshmitarët.

Ndërsa, zëdhënësi i Komisionit Evropian për Zgjerim, Guillaume Mercier, iu referua fjalëve të Komisioneres Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke thënë se aktgjykimet e Dhomave të Specializuara duhen të respektohen dhe se personat e dënuar kanë të drejtë t’i apelojnë ato aktgjykime.

“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Aktgjykimet e tyre duhen të respektohen dhe personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë. Kjo ka të bëjë me përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.

Ne u bëjmë thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit vendet e rajonit mund t’i tejkalojnë ndarjet dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët, drejt Bashkimit Evropian”, tha ai.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale ka marrë vendim të shkallës së parë që Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi të dënohen me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13 vjet.

Po ndodh...

ide