Bill Clinton zbulon planin e CIA-s për neutralizimin e Osama bin Ladenin para 11 shtatorit: U anulua në minutën e fundit nga frika për civilët

14 September 2026, 09:50 / BOTA ALFA PRESS

Ish-presidenti amerikan Bill Clinton ka zbuluar se, para sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, kishte autorizuar CIA-n të ndërmerrte një operacion për të neutralizuar Osama bin Ladenin, por plani u anulua në minutën e fundit nga agjencia amerikane e inteligjencës. Sipas Clinton, CIA kishte frikë se një operacion i dështuar mund të shkaktonte vdekjen e shumë civilëve të pafajshëm. Clinton foli për këtë çështje gjatë një interviste në emisionin radiofonik “Cats Roundtable” të WABC, të drejtuar nga John Catsimatidis. Ai tha se i kishte dhënë CIA-s autorizimin për të tentuar kapjen ose eliminimin e liderit të Al-Kaedës, duke bërë të qartë se kapja e tij i gjallë do të ishte e preferueshme, por objektivi kryesor ishte ndalimi i aktiviteteve të tij.

“Isha i frikësuar dhe i zemëruar sepse ishim përpjekur ta kapnim më parë dhe CIA, në minutën e fundit, anuloi një plan që mendoj se mund të kishte funksionuar”, tha Clinton. Sipas tij, agjencia amerikane vendosi të mos e ndërmerrte operacionin pasi kishte frikë se dështimi i tij mund të sillte viktima të shumta në mesin e civilëve. Clinton tha se nuk e kishte vënë në dyshim gjykimin e CIA-s, por shprehu keqardhjen që nuk ishte bërë më shumë për kapjen e Bin Ladenit. “Do të doja të kishim bërë më shumë për ta kapur. Gjithmonë kam menduar se ai ishte kërcënimi më i madh për ne. Doja ta kapja dhe bëra gjithçka që munda për ta kapur”, u shpreh ish-presidenti amerikan.

Clinton tregoi gjithashtu se e kishte kuptuar menjëherë se Osama bin Ladeni qëndronte pas sulmeve të 11 shtatorit, kur pa në televizion goditjen e avionit të dytë në Kullat Binjake. Në atë kohë, ai ndodhej në Australi, ndërsa bashkëshortja e tij Hillary Clinton ishte në Uashington. Vajza e tyre ndodhej në Lower Manhattan dhe familja nuk mund të kontaktonte me të, duke përjetuar momente ankthi. “Po shikoja televizor në Australi kur u godit avioni i dytë. Thashë menjëherë se ishte Bin Ladeni”, kujtoi Clinton.

Ai shpjegoi se Al-Kaeda kishte planifikuar prej kohësh sulme në territorin amerikan dhe se, sipas tij, Bin Ladeni ishte ndër të paktët kundërshtarë me aftësinë dhe motivimin për të organizuar një sulm të tillë. Osama bin Ladeni u vra më 2 maj 2011, gjatë një operacioni të forcave speciale amerikane në kompleksin ku fshihej në Abbottabad të Pakistanit. Operacioni u zhvillua gjatë presidencës së Barack Obamës.

 

Gjatë intervistës, Clinton paralajmëroi gjithashtu se nuk mund të përjashtohet mundësia që Nju Jorku të jetë sërish në shënjestër të një sulmi terrorist. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë sot shumë më të përgatitura për një sulm të përmasave të 11 shtatorit, por theksoi se vigjilenca dhe mbledhja e informacionit duhet të mbeten pjesë e vazhdueshme e strategjisë së sigurisë kombëtare. “Mendoj se është absolutisht e mundur. Mendoj se duhet të mbetemi vigjilentë”, tha Clinton, duke shtuar se një sulm i tillë do të përbënte një problem të madh nëse masat e sigurisë do të dështonin. Në fund, ish-presidenti theksoi se përgjegjësia e një qeverie është të krijojë kushtet për të mirën e qytetarëve dhe, njëkohësisht, të parandalojë kërcënimet e mëdha ndaj vendit.

 

Po ndodh...

ide