Kapet kamioni me 130 kg kokainë në Francë, tre shqiptarë në pranga

3 Shkurt 2026, 19:58 / AKTUALITET ALFA PRESS

Kapet kamioni me 130 kg kokainë në Francë, tre shqiptarë

Policia franceze ka arrestuar tre shtetas shqiptarë, të cilët u kapën pasi iu afruan një kamioni që transportonte 130 kilogramë kokainë.

Ngjarja ka ndodhur në Francë, ndërsa autoritetet po vijojnë hetimet për të sqaruar rolin e tyre në këtë rast.

Sipas mediave franceze, natën mes së premtes dhe të shtunës, më 31 janar, doganierët ndaluan një kamion pranë Castets, në rajonin Landes, ku gjatë kontrollit u zbulua sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike.

Pas procedurave standarde, mjeti u sekuestrua dhe u dërgua në qytetin Dax, ku u vu nën vëzhgim nga forcat e rendit. Gjatë natës, tre persona me shtetësi shqiptare iu afruan kamionit dhe u arrestuan në flagrancë, duke u shoqëruar më pas në paraburgim.

Për shkak të sasisë së madhe të drogës së sekuestruar, hetimi i është besuar Policisë Gjyqësore të Bayonne, nën autoritetin e Juridiksionit të Specializuar Ndërrajonal (JIRS) të Bordosë. Gjykata e Bordosë ka konfirmuar se çështja është marrë në trajtim nga JIRS, duke theksuar se në këtë fazë është ende herët për të dhënë detaje të mëtejshme.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se gjatë seancave të paraburgimit nuk është vërtetuar se tre shqiptarët kishin ardhur për të marrë ngarkesën e drogës. Si pasojë, ndaj tyre janë marrë masa administrative.

Autoritetet kanë vendosur ndalim për hyrjen në qytetin e Dax, ku ishte sekuestruar kamioni, ndërsa ndaj njërit prej tyre është dhënë urdhër për t’u larguar nga territori francez. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit vijojnë.

Po ndodh...