Çmimi në raft ndryshe, në kasë tjetër/ Tatimet kontrollojnë supermarketet në Tiranë, konstatohen 11 shkelje

31 August 2026, 23:42 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS
Çmimi në raft ndryshe, në kasë tjetër/ Tatimet

Administrata Tatimore ka intensifikuar kontrollet në terren pas denoncimeve të qytetarëve për mospërputhje mes çmimeve të afishuara në raftet e supermarketeve dhe atyre që u aplikohen konsumatorëve në momentin e pagesës në kasë.

Sipas njoftimit të Administratës Tatimore, një denoncim i mbërritur së fundmi përmes kanaleve të saj të komunikimit ngrinte pikërisht pretendimin se në disa subjekte të llojit supermarket çmimi i paguar në kasë ishte i ndryshëm nga ai që konsumatori shihte të afishuar në raft.

Pas denoncimit, Task Forca e Terrenit kreu verifikime në katër subjekte tregtare në Tiranë. Kontrollet konfirmuan problematikën e raportuar nga qytetarët, ndërsa inspektorët evidentuan në total 11 shkelje të legjislacionit tatimor.

Mes shkeljeve të konstatuara ishin mallra pa faturë tatimore, moslëshimi i faturës tatimore apo autofaturës, shitja e produkteve me çmim të ndryshëm nga ai i afishuar, si dhe mosafishimi i listës së çmimeve.

Kontrollet nuk janë mbyllur vetëm me verifikimet e kryera në terren. Administrata Tatimore bën të ditur se është administruar edhe dokumentacioni kontabël i subjekteve të kontrolluara.

Ky dokumentacion do t’u nënshtrohet verifikimeve të mëtejshme, me qëllim evidentimin e mospërputhjeve të mundshme ndërmjet aktivitetit real të bizneseve dhe atij të deklaruar pranë administratës fiskale. Në varësi të gjetjeve, do të merren masat përkatëse të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.

Rasti merr rëndësi të veçantë edhe për konsumatorët, pasi verifikimet në terren konfirmuan denoncimin për diferencën mes çmimit të afishuar dhe atij të aplikuar në shitje.

Administrata Tatimore nënvizon se çdo denoncim i mbërritur përmes kanaleve të saj të komunikimit trajtohet me prioritet dhe nga strukturat kompetente, ndërsa kontrollet dhe masat do të vijojnë sa herë që konstatohen shkelje të legjislacionit tatimor.

Tatimet u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë rastet e dyshuara për shkelje përmes kanaleve zyrtare të institucionit dhe aplikacionit “Denonco Evazionin”, duke i konsideruar denoncimet një burim të rëndësishëm informacioni për evidentimin e shkeljeve dhe orientimin e kontrolleve në terren./ekofin.al

Po ndodh...